Shqiperia

Agron Xhafaj, trafik droge? Krimet e Rënda pezullojnë hetimet

Prokuroria për Krime të Rënda pezulloi dhe ktheu në polici dosjen penale në kuadër të të cilës po verifikonte rolin e Agron Xhafajt, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për përfshirje të mundshme në një rrjet trafiku ndërkombëtar droge. Çështja penale u çel pas akuzave të vlonjatit Albert Veliu, i njohur me nofkën “Babale”.

Skandali që po hetohet shpërtheu pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike, të një materiali audio, ku një person i identifikuar si “bashkëpunëtori x”, fliste për një bashkëpunim të mundshëm me vellain e ministrit të brendshëm të kohës, për të trafikuar hashash nga Shqipëria drejt Italisë. Më vonë, personi në fjalë, u zbulua se ishte Albert Veliu, i njohur edhe si Berti i Abesë, ish i dënuar për trafik droge. Të njëjtat akuza për Agron Xhafajn, Albert Veliu i bëri edhe përmes një interviste dhënë gazetarit Jetmir Olldashi, e cila gjithashtu u trasmetua nga selia e Partisë Demokratike.

Mbi këtë bazë, prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet për të zbuluar nëse ishte vërtet përpara një rasti të trafikimit të narkotikëve. Por, pas shumë muajsh hetime, institucioni i akuzës nuk ka mundur të grumbullojë prova, mbi bazën e të cilave të ngarkojë me përgjegjësi penale ndonjë person, përfshirë këtu edhe vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm. Në këto kushte, prokurori përparim Kulluri ka firmosur për pezullimin e hetimeve. Dosjen në fjalë e ka kthyer në polici, me qëllim kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.

Ndërkohë, më herët krimet e rënda zbuluan se audiopërgjimi ishte i rremë dhe se zërin e Agron Xhafajt e kishte realizuar Fredi Alizoti. Ky i fundit, së bashku me Babalen dhe gazetarin Jetmir Olldashi po hetohen për akuzën e kallëzimit të rremë. Alizoti ndodhet nën masën e arrestit me burg, ndërsa Albert Veliu, u arratis ne Kosovë dhe mundi t’iu shpëtonte prangave. Në fund të dhjetorit Babalja u arratis edhe nga Kosova përmes Hungarisë dhe sipas avokatit të tij mbërriti në Belgjikë, ku i është bashkuar pjesës tjetër të familjes dhe ka kërkuar azil politik. Në gjendje të lirë po hetohet gazetari Jetmir Olldashi./Klodiana Lala/BW/