Terroristët e MEK-ut të Maryam Rajavit – Grupi që Vidal-Quadras mbështet

nga Daniel Iriarte.

Më 30 qershor, mijëra njerëz u mblodhën në Villepinte në periferi të Parisit, në një aktivitet të quajtur ‘Liri për Iranin 2018’. Ndër folësit ishin edhe figura të tilla si Rudolph Giuliani, avokati personal i Donald Trumpit dhe ish-kryebashkiak i Nju Jorkut, pjesëmarrja e të cilit theksoi lidhjet e rëndësishme ndërkombëtare të organizatorëve të ngjarjes, një grupi disident iranian i quajtur Mojahedin-e Khalq (‘luftëtarët e popullit’ ose siç njihen ndryshe MEK) dhe krahut të tij politik, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), ku që të dy udhëhiqen nga Maryam Rajavi, një opozitë që ka pasur një të shkuar me dekada të mbushura me luftë. Pjesëmarrja e njujorkezit nuk ishte e papritur: në të kaluarën, takimet kanë pasur pjesëmarrjen e personaliteteve si Këshilltari aktual i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara John Bolton, John McCain, ish drejtorët e CIA-s James Woolsey dhe Porter Goss, shumë politikanë britanikë si dhe një figurë pothuajse e kudogjendur, Alejo Vidal-Quadras, ish nënkryetar i Parlamentit Evropian dhe më vonë një anëtar i Vox.

Lidhjet e Vidal-Quadras me grupin shkojnë prapa në kohë: një dekadë më parë, përpjekjet e tij çuan Bashkimin Evropian që ta heqë MEK-un nga lista e tij e organizatave terroriste. Ai është gjithashtu kryetar i Komitetit Ndërkombëtar për Drejtësi, një grup ish-deputetësh të përkushtuar për mbështetjen e një segmenti të opozitës iraniane. Megjithatë marrëdhëniet ka qenë të dobishme për të dyja palët: sipas gazetës El País të botuar të dielën, ndjekesit e NCRI-së financuan 80% të fushatës Vox në zgjedhjet evropiane të vitit 2014.

Vidal-Quadras e pranon vetë këtë mbështetje: “Është në rregull, sepse kjo është ajo që kam deklaruar. Ndërsa në lidhje me gjykimet që merren, ose vlerësimet e bëra, ka disa pasaktësi, pasi siç është thënë grupi ka qenë një entitet marksist që në fillimet e tij “, thotë ai për El Confidencial. Pa dyshim që organizata është në gjendje që të paguajë: sipas llogaritjeve të bëra, grupi harxhon dhjetëra mijëra dollarë për folësit në tubimet ndërkombëtare. Sipas disa vlerësimeve, vetëm Bolton ka futur në xhep gati 180,000 dollarë për përfshirjen e tij në eventet e MEK-ut. MEK ka hedhur sasira të mëdha parash për lobuesit në Uashington, të cilët i kanë garantuar atij një dukshmëri publike që përndryshe mund ti kishte munguar.

“MEK u themelua si një grup guerilësh radikalë islamikë që huazoi shumë prej ideve të marksizmit me qëllim për ta transformuar shiizmin nga një fe konservatore në një ideologji radikale”, shpjegon Ervand Abrahamian, një historian amerikan me prejardhje iraniane dhe autor i një libri për MEK-un. “Tani ai është bërë më tepër një kult i bazuar në bindjen ndaj Rajavit”, thotë ai për El Confidencial.

MEK përfaqëson një nga kapitujt më të papritshëm në historinë e dhunës politike të shekullit të kaluar. Organizata luajti një rol të rëndësishëm në Revolucionin iranian, duke organizuar aksione të shumta të armatosura kundër forcave të sigurisë së Shahut. Por pas revolucionit, grupi pati shumë shpejt fërkime me Ayatollah Khomeinin. Një nga përplasjet me qeverinë e re për shembull ishte se MEK e kundërshtoi lirimin e pengjeve të ambasadës së SHBA-së në Teheran. Qeveria e re revolucionare si shkak i shumë përplasjeve me grupin ndërmori veprime shtypëse kundër tyre. Në këtë fazë, mijëra anëtarë të MEK-ut u vranë dhe u torturuan dhe shumë të tjerë ikën në mërgim. Gjatë kësaj kohe ata edhe u hakmorën: në vitin 1981 ata montuan një bombë që vrau më shumë se 70 zyrtarë të lartë të regjimit. Si rezultat i atij sulmi lideri suprem i Iranit Ali Khamenei, humbi krahun e djathtë.

Nga Parisi në Irak

Vidal-Quadras ka insistuar gjithmonë se përgjegjësit e këtyre aktivitete të armatosura nuk janë disidentët iranianë që ai mbështet, por një fraksion ekstremist i quajtur Peykar: “Lëvizja MEK filloi në vitet gjashtëdhjetë nën Shahun dhe ishin grup studentësh që luftuan për ta kundërshtuar atë diktaturë. Policia politike Savak e arrestoi të gjithë lidershipin e lëvizjes, e cila atëherë megjithëse e vogël, ishte në zhvillim e sipër. Ndërsa udhëheqësit gjendeshin në burg, jashtë gjendej një fraksion disident i grupit, i cili u radikalizua dhe u bë marksist. Por lëvizja autentike asnjëherë nuk ka qenë marksiste. Krejt e kundërta është me planin i tij 10 pikësh, programi i publikuar nga organizata në vitin 2006, të cilin çdo democrat perëndimor mund ta nënshkruajë: zgjedhje të lira, denuklarizim, etj”, thotë ai.

“NCRI sot është një lëvizje demokratike opozitare kundër një diktature mizore që cënon të drejtat e njeriut çdo ditë në mënyrë brutale, që i konsideron gratë si qytetare të klasës së tretë, që nxit terrorizmin ndërkombëtar dhe që është një element destabilizimi për botën. Pra, kur flasim për një grup Islamo- marksist, të krijohet përshtypja se ai nuk korrespondon aspak me NCRI-në dhe MEK-un, të cilët janë lëvizje krejtësisht demokratike”, insiston spanjolli.

Ndër ata që arritën të shpëtojnë në mërgim ishte një burrë i ri i quajtur Massoud Rajavi, i cili në Paris themeloi NCRI-në. Por në vitin 1986, kur Franca e Jacques Chirakut nisi një afrimitet me Iranin e Khomeinit, Rajavi dhe pasuesit e tij u shpërngulën në Irak, ku krijuan një aleancë me armikun më të madh të regjimit iranian, Saddam Hussein. Kjo bëri që ata të humbnin shumë nga mbështetja që kishin në vendin e tyre.

Në vitin 1988, pas armëpushimit mes Bagdadit dhe Teheranit, mijëra anëtarë të grupit filluan një operacion të quajtur Drita e Përjetësisë, i destinuar për të ripushtuar Iranin. Sulmi u thye shumë lehtë nga ushtria iraniane, e cila vrau rreth 4,500 nga 7,000 pjestarët e tij. Përveç kësaj, gjatë pesë muajve të ardhshëm, regjimi i Khomeinit ekzekutoi mijëra të burgosur politikë nëpër burgje, ku shumica e tyre ishin te lidhur me MEK-un (NCRI e fryn numrin në 30,000 vetë), një nga krimet më të mëdha të kryera nga një shtet në dekadën e kaluar por që është pak i njohur për qarqet e jashtme.

Sipas dëshmive të disa desidentëve, që nga ai moment tek grupi filluan të theksoheshin karakteristikat e një kulti: Rajavi e shpalli veten ‘Mehdi’ (i zgjedhuri ose shpëtimtari i ardhshëm i njerëzimit sipas traditës shite) dhe këmbënguli që gjithçka, madje edhe mposhtja, ishte pjesë i një plani hyjnor. Në vitin 1990 ai urdhëroi të gjithë anëtarët e organizatës të divorcoheshin dhe ti dërgonin fëmijët e tyre në mërgim në Evropë, ku ata do të rriteshin nga çiftet e tjera militante. Sipas kritikëve, kjo ishte një mënyrë për të ruajtur kontrollin mbi grupin dhe për të shmangur mospajtimet. Një zëdhënës i MEK pohon se divorcet ndodhën tërësisht në mënyrë vullnetare. Massoud u martua me njërën nga të divorcuarat të quajtur Maryam Azodanlu, e cila mori mbiemrin e tij.

Dëmet ndaj iranianëve dhe propaganda

Vidal-Quadras punon dhe nxit që shumë nga këto informacione të mos merren lehtë, pasi thotë se dezinformimi nga ana e qeverisë së Iranit është shumë e fortë. “E gjithë kjo punë për të diskredituar lëvizjen nuk ka dyshim që vjen nga lufta propagandistike që regjimi iranian po bën kundër grupit kryesor të opozitës”, thotë ai. Ai mohon, për shembull, vërtetësinë e pjesëmarrjes së pretenduar të MEK-ut në shkatërrimin e rebelimit që kishte shpërthyer në Kurdistan pas Luftës së Gjirit në vitin 1991, ku sipas disa ish-militantëve, Maryam Rajavi kishte urdhëruarë: “Merrini kurdët përpara nën tanket tuaja dhe kursejini plumbat për rojet revolucionare iraniane”. Megjithatë disa nga karakteristikat negative të përshkruara nga kritikët e grupit, siç është statusi i tyre si kult ose sekt, janë konfirmuar edhe nga burime të tilla si korporata RAND, thotë një raport i vitit 2009.

Sipas të njëjtit dokument, vitet nëntëdhjetë ishin një kohë intensive për MEK-un: në prill 1992, ata kryen sulme pothuajse në të njëjtën kohë kundër ambasadave iraniane në 13 vende të ndryshme, duke përfshirë edhe mbi delegacionin iranian në OKB në Nju Jork (aksion që e bën atë të vetmin grup të huaj që ka arritur të sulmojë brenda SHBA-së përveç Al Kaedës). Kjo bëri që pesë vite më vonë grupi të përfshihej në listën e organizatave terroriste të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kur administrata e Bushit insistoi përpara pushtimit të Irakut për lidhjet e Sadam Huseinit me terrorizmin, ndër të tjera ai iu referua edhe MEK-ut. Sipas një raporti të Departamentit të Shtetit, mes viteve 2000 dhe 2001, grupi kreu 350 sulme në pjesë të ndryshme të botës.

Kur forcat amerikane hynë në Irak në vitin 2003, pas një serie përleshjesh të fillimit, MEK preferoi të qëndrojë neutral ndaj pushtuesve. Kështu që 3,800 anëtarëve të tij ju lejua që të qëndronin në bazën e tyre, Kampin Ashraf, rreth 100 kilometra larg Bagdadit. Grupi hoqi dorë zyrtarisht nga dhuna dhe e ndryshoi programin e tij politik, duke u fokusuar tek ndjekja e demokracisë dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në Iran. Në atë kohë, Massoud Rajavi u zhduk dhe as sot nuk dihet se çfarë u bë me të, ndërsa drejtimin e grupit e mori përsipër gruaja e tij Maryam Rajavi. Megjithatë kjo nuk i çliroi anëtarët e grupit nga prania e sundimit të hekurt: një raport i Human Rights Watch i vitit 2005, i përgatitur nga intervistat me disa disidentë, tregon se mbi anëtarët e MEK-ut ushtrohen tortura dhe kryen abuzime të shumta.

Sipas dy zyrtarëve të inteligjencës gjatë administratës së Obamës të intervistuar nga NBC mes viteve 2007 dhe 2012, Izraeli ka përdorur anëtarët e MEK-ut për të vrarë dhjetëra shkencëtarë bërthamorë të Iranit, gjë që e rriti vlerën e tyre para mbështetësve për ndryshimin e regjimit iranian, Izraelin dhe Amerikën. Një ndihmë e madhe erdhi edhe nga zbulimi i programit bërthamor iranian, i kryer pjesërisht me informacionin e ofruar nga rrjeti i MEK-ut brenda vendit.

A është ky i njëjti grup që mbështet Vidal-Quadrasi dhe politikanët e tjerë ndërkombëtarë? Shumë ekspertë besojnë se po. “Zyrtarët amerikanë, duke përfshirë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Bolton, nuk mund të kenë iluzione në lidhje me mashtrimet e propagandës së MEK-ut për ndjekjen e demokracisë apo mbështetjen që ka brenda Iranit. Ata e dinë shumë mirë se sa i përçmuar është MEK brenda Iranit. Megjithese ndryshe nga grupet e tjera opozitare iraniane, MEK mund të organizojë operacione ushtarake”, shkruan Trita Parsi, kryetare e Këshillit Kombëtar Amerikano-Iranian, një organizatë lidere iraniane në Shtetet e Bashkuara. “Anëtarët e tij kanë përvojë në sabotime, vrasje dhe terrorizëm, si dhe në luftën guerile dhe luftën konvencionale. Këto nuk janë cilësi që çojnë drejt një projekti të demokratizimit, megjithatë ato janë jashtëzakonisht të dobishme nëse objektivi strategjik është nxitja e një ndryshimi të regjimit (nëpërmjet një pushtimi) ose një kolapsi (përmes destabilizimit) “, thotë Parsi.


Ruga për ndryshimin e regjimit

Këto aftësi i garantuan MEK-ut miq shumë të fuqishëm në të dy anët e Atlantikut. Por ndërkohë që grupi ishte i vendosur në Kampin Ashraf dhe më vonë në një bazë tjetër të quajtur Kampi Liberty, MEK u bë objekt i armiqësisë së qeverisë irakiane shite të Nuri al Malikut, një aleat i Iranit. Forcat irakiane të sigurisë i sulmuan kampet në të paktën dy raste, duke i shkaktuar grupit më shumë se njëqind të vrarë dhe qindra të lënduar. Kjo i dha shtytje administratës së Obamës që ta heqë atë nga lista e organizatave terroriste në vitin 2012 (BE e kishte bërë tashmë këtë që tre vite më parë), në mënyrë që t’i merrte militantët nga Iraku dhe t’i çonte në një vend që do ti pranonte ata. I vetmi vend që e bëri këtë ishte Shqipëria.

Rreth 2,300 anëtarë të grupit ndodhen atje të mbyllur në një bazë të ruajtur mirë, pa qasje të medias. Qindra prej tyre kanë dezertuar. Sipas Massoud Khodabandeh, një ish-anëtar i grupit i cili tani ndihmon ata që duan të largohen, MEK vazhdon në kamp praktikat e kontrollit dhe torturës, të cilin ai e përshkruan si “skllavëri politike”.

“Shikoni, unë kam bashkëpunuar me rezistencën iraniane në mërgim për 18 vjet. I njoh ata në mënyrë të përkryer, kam miqësi personale me shumë prej tyre dhe natyrisht edhe me znj. Rajavi”, thotë Vidal-Quadras. “Unë kam folur me qindra anëtarë të NCRI-së, kam vizituar kampin e tyre të tanishëm në Shqipëri dhe atë që kishin në Irak në vitin 2009, kam folur me të gjithë lirishëm dhe mund t’ju siguroj se ata janë njerëz absolutisht të përkushtuar, se ata janë atje vullnetarisht, se askush nuk i detyron ata të bëjnë diçka dhe se kanë një prirje të jashtëzakonshme për ta çliruar vendin e tyre nga kjo diktaturë “, thotë politikani spanjoll. “Historia e kësaj lëvizjeje është një histori e vuajtjeve dhe persekutimeve si edhe e dhjetëra mijëra viktimave. Për shembull, dy motrat e zonjës Rajavi janë ekzekutuar, njëra prej tyre teksa ishte shtatzënë. Pra, nuk mund të mohohet se ata nuk e kanë kapacitetin e mahnitshëm për sakrificë dhe këmbëngulje”, përsërit ai.

Vidal-Quadras këmbëngul për mbështetjen ndërkombëtare të grupit, i cili në vitin 2009, sic thotë ai, ka marrë mbështetjen e më shumë se 4,000 parlamentarëve aktivë anembanë botës. Në eventet e grupit, përveç emrave të përmendur më lart, kanë marrë pjesë edhe njerëz si Ingrid Betancourt ose Pat Kennedy. “Është një lëvizje demokratike që njihet absolutisht mirë, e cila ka mbështetjen e mijëra politikanëve aktivë në SHBA, Evropë,Kanada, në vendet arabe apo edhe në Australi”, thekson ai. Por disa nga këto mbështetje janë të diskutueshme, siç është rasti me Arabinë Saudite.

“Për vite me radhë, kulti u financua nga Saddam Husseini, ndërsa tani e financojnë sauditët”, thotë Abrahamian. Megjithëse as Rijadi dhe as NCRI nuk e pranojnë këtë, prania e ish-shefit të shërbimit sekret të Arabisë Saudite princit Turki al Faisal në eventin e vitit 2017 duket sikur i konfirmon dyshimet e ekspertëve. “Rajavi u vra kur SHBA-ja pushtoi Irakun, por organizata preferon të mos e pranojë këtë. Përfaqësuesi saudit në takimin vjetor të vitit të kaluar zyrtarisht e zbuloi këtë për herë të parë. Kjo që bëri Arabia Saudite tregon se ajo ka një rëndësi të jashtëzakonshme, thotë Abrahamian.

Grupi po dukej sikur ishte krejtësisht i izoluar në Shqipëri deri në momentin kur në Shtepinë e Bardhë erdhi Boltoni. Tani, shumë nga luftëdashësit në Uashington duket se i kanë varur shpresat e tyre tek NCRI-ja për të udhëhequr një tranzicion të ardhshëm për Iranin. Diçka që sipas shumicës së ekspertëve, ata nuk mund ta bëjnë dot. “Në vitet e mia si korrespondent në Teheran për “Washington Post”, kurrë nuk kam takuar ndonjë person që të kishte një opinion pozitiv për MEK-un”, thotë gazetari Jason Rezaian. “Organizata nuk ka ndonjë të ardhme në Iran pasi ka punuar ngushtë me Saddam Husseinin gjatë luftës tetëvjeçare. ‘Neokonët’ në Administratën Trump po e përdorin MEK-un ashtu siç bënë me Ahmed Chalabin dhe [Kanan] Makiyan gjatë pushtimit të Irakut “, thotë Abrahamian duke iu referuar disidentëve irakianë që i ofruan siguri administratës Bush, dmth që trupat e tyre do të priteshin dhe përshëndeteshin me lule në Bagdad. MEK mund të mos ketë mbështetje të madhe brenda Iranit, por ata kanë shumë miq të fuqishëm në botë./elconfidencial/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne