“Air Albania”: linja e skandaleve, miliardave të zhdukura dhe lidhjeve të qeverisë me krimin (Video)

Korrupsion në fluturim, rrjeta mafioze pas Air Albania…

Një investigim i publikuar në YouTube nga gazetari zviceran me origjinë amerikane “Johnny G” ka ndezur një debat të gjerë mbi funksionimin, financat dhe drejtimin e Air Albania, kompanisë ajrore të prezantuar dikur si krenaria kombëtare e Shqipërisë. Videoja, e cila po qarkullon gjerësisht në rrjet, ngre një sërë pyetjesh të mprehta mbi mënyrën sesi është ngritur dhe menaxhuar kjo kompani – që nga themelimi i saj, partneriteti me Turkish Airlines, e deri te problemet e brendshme operacionale dhe financiare.

Në investigimin e tij, Johnny G nis nga një përvojë personale: përpjekja për të fluturuar drejt Tiranës me Air Albania. Problemet me anulimet, komunikimin e munguar dhe konfuzionin operacional e çuan atë drejt një kërkimi më të thelluar. Ajo që nisi si një udhëtim i zakonshëm, u kthye në një hulumtim me dokumente, dëshmi publike dhe raportime mediatike, të cilat ai i analizon me kujdes në videon e tij.

Sipas investigimit, Air Albania paraqitet si pjesë e një historie më të gjerë problemesh strukturore në aviacionin shqiptar, që prej viteve ’90, ku disa kompani ajrore janë mbyllur nën rrethana të paqarta, me akuza për parregullsi financiare dhe keqqeverisje. Në videon e Johnny G, këto raste përmenden si sfond që tregon një model të përsëritur: nisja e një kompanie, zgjerimi i shpejtë, problemet me borxhet dhe mbyllja e papritur.

Një pjesë e rëndësishme e videos fokusohet te partneriteti me Turkish Airlines dhe te ndarja e aksioneve të Air Albania. Sipas gazetarit, dokumentet e cituara nga media shqiptare dhe turke tregojnë se shteti shqiptar ka vetëm një pjesë të vogël të pronësisë në kompani, ndërsa pjesa më e madhe kontrollohet nga partnerë privatë. Ai thekson se informacionet financiare të kompanisë nuk janë publike dhe se për disa prej kontratave ekzistojnë ankesa për mungesë transparence.
Johnny G sjell në vëmendje edhe raste të raportuara publikisht ku avionë janë rikthyer nga kompanitë e huaja për shkak të mospagimeve të detyrimeve apo kontratave të ndërprera. Sipas tij, këto raste sjellin pyetje mbi qëndrueshmërinë financiare të Air Albania, ndërkohë që mediat shqiptare kanë raportuar se aktualisht kompania operon me një numër shumë të kufizuar avionësh.

Përveç çështjeve ekonomike, investigimi prek edhe tensionet mes medias dhe kompanisë. Johnny G i referohet raportimeve për raste ku gazetarë shqiptarë janë penguar gjatë punës së tyre, ndërsa disa emra të biznesit dhe politikës përmenden në media për lidhje me projekte të mëdha infrastrukturore dhe kontrata në sektorin e aviacionit. Gazetari thekson se shumë nga këto informacione janë të bazuara në raportime të hapura, dhe ai vetë nuk ka mundur t’i verifikojë të gjitha në mënyrë të pavarur – një detaj që e përsërit disa herë për të ruajtur paanshmërinë.

Videoja e tij nuk synon të prekë imazhin e vendit apo të qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, Johnny G thotë qartë se Shqipëria është një destinacion që e ka dashur dhe vizituar me kënaqësi, por se praktikat që rrethojnë kompani të caktuara publike janë problem që prek direkt qytetarët, taksapaguesit dhe imazhin e vendit.

Videoja e transkriptuar në shqip

Kjo linjë ajrore duhej të bënte shqiptarët krenarë. Në vend të kësaj, ajo akuzohet për pastrim parash, lidhje me mafian dhe miliona të zhdukura. Që në momentin kur u përpoqa të fluturoja me ta, gjithçka filloi të shkatërrohej. Pas bishtit të kuq karakteristik të Air Albania, duket se fshihet një rrjet korrupsioni e mashtrimi aq i thellë, sa thuajse duket i pabesueshëm. Kjo është rrëzimi tronditës i asaj që shumëkush e quan “linja mafioze e Shqipërisë”.

Gjithçka nisi kur një pronar hoteli në Tiranë më tha diçka të çuditshme për Air Albania. Por le të kthehem pak në kohë. Unë dhe bashkëshortja ime kishim vizituar Shqipërinë disa vite më parë dhe na kishte magjepsur. Sipas mendimit tim, Shqipëria është një perlë e fshehur. Na lanë pa fjalë plazhet, ushqimi i jashtëzakonshëm, natyra marramendëse dhe kultura interesante. Që nga ajo vizitë, e dinim se një ditë do të ktheheshim. Kështu që, këtë tetor, vendosëm të shkonim përsëri. Rezervova fluturimin me linjën kombëtare, Air Albania – një kompani për të cilën dija shumë pak, por që doja ta provoja. Hoteli ynë i parë ofronte shërbim transporti nga aeroporti, kështu që u dërgova numrin e fluturimit në Booking.com. Dhe aty mora një mesazh të çuditshëm.

“Air Albania po përballet me probleme operacionale dhe shumë fluturime po anulohen. Ju lutem kontrolloni nëse fluturimi juaj operon. Nuk shoh as nisje, as mbërritje për këtë fluturim.”

Mesazhi ndezi kureshtjen time, ndaj fillova të hulumtoj. Dhe ajo që zbulova shkonte shumë përtej komenteve të këqija apo vonesave. Ishte një rrjet korrupsioni, lidhjesh politike dhe prapaskenash mafioze aq i ndërlikuar, sa ende nuk di të them ku mbaron kompania dhe ku fillon skandali. Sa herë gjeja një dokument, lindnin pesë pyetje të reja.

Para Air Albania, kishte vetëm kaos. Gjatë periudhës komuniste, udhëtimi ishte i ndaluar dhe avionët përfaqësonin arratisjen, jo lirinë. Kur regjimi u rrëzua në vitet ’90, Shqipëria më në fund kërkoi “krahët” e veta. Lindi Albanian Airlines. Por në vend të krenarisë, erdhën skandalet. Hasva pretendime që e lidhnin kompaninë me pastrim parash dhe madje me tregti armësh e heroine. Nuk arrita t’i verifikoja vetë këto pretendime, por fakt është që u hapën hetime ndërkombëtare për pastrim parash, miliona u ngrinë, presidenti i kompanisë u arrestua dhe licenca u hoq. Pas saj nisi një karusel linjash të shkurtra. Albatros Airways u mbyll nën rrethana të paqarta politike. Belle Air u shemb brenda natës pasi shiti 40 mijë bileta që nuk i nderoi kurrë. Ernest Airlines përsëriti të njëjtën skemë: biletat u shitën, fluturimet u anuluan, paratë u zhdukën. Në prapaskenë, shpesh ishin të njëjtat familje, të njëjtët politikanë, të njëjtët biznesmenë. Shqiptarët humbnin, “të brendshmit” pasuroheshin.

Pas këtyre dështimeve të njëpasnjëshme, kryeministri Edi Rama u përpoq të niste një epokë të re. Në 2018 njoftoi krijimin e linjës së re kombëtare, Air Albania. U prezantua si një simbol krenarie, në partneritet me Turkish Airlines, që do të rikthente besimin në aviacionin shqiptar. Në letër, projekti duhej të kishte shumicë shqiptare. Në praktikë, shteti mori vetëm 10% të aksioneve. Pjesa tjetër iu dha Turkish Airlines dhe një kompanie të sapokrijuar, MDN Investment, një firmë që nuk ekzistonte disa ditë para shpalljes së projektit. Nuk pati tender publik, as garë, as transparencë. Marrëveshja u shfaq brenda natës, shpejt dhe në heshtje. Opozita e akuzoi menjëherë Ramën për korrupsion. Në 2018, një deputet i PD-së deklaroi se qeveria i kishte dhënë operimin e linjës së re një “kompanie fantazmë” me vetëm 800 euro kapital. Pas saj qëndronte Sinan Idrizi, një emër i njohur për aventura kontroverse në futboll, energji dhe tregti.

Dokumente të mëvonshme treguan se Air Albania ishte pjesë e një pakete projektesh të lidhura me aeroportin e Vlorës dhe koncesione të tjera të dhëna në mënyrë të ngjashme. Sipas Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, këto “ligje të posaçme” i lejonin qeverisë të anashkalonte rregullat e prokurimit dhe të mbroste ligjërisht firmat e lidhura me pushtetin nga hetimi. Kështu që, që në fillim, Air Albania trashëgoi të njëjtin ADN që kishte rrëzuar linjat e mëparshme: politikë, privilegj dhe marrëveshje të fshehta.

Në qendër të historisë qëndron Sinan Idrizi, biznesmen shqiptar që del në pothuajse çdo marrëveshje të lidhur me Air Albania. Ai filloi karrierën në import-eksport, më pas në pasuri të paluajtshme dhe futboll, duke u bërë figurë kyçe te Flamurtari. Por rreth tij, informacionet janë të fragmentuara dhe kontradiktore. Media shqiptare dhe turke e kanë lidhur me disa çështje financiare dhe hetime jashtë vendit. Disa raporte madje e kanë përshkruar si person të kërkuar për raste mashtrimi, megjithëse të dhënat e sakta mbeten të paqarta. Pavarësisht këtyre polemikave, Idrizi u bë CEO dhe bashkëpronar i Air Albania, i mbështetur nga Turkish Airlines dhe qeveria shqiptare.

Ndërsa qeveria heshti, Air Albania dukej se humbte para që ditën e parë. Sipas Turkish Airlines, linja shqiptare grumbulloi mbi 105 milionë dollarë borxh. Megjithatë, bilancet nuk u publikuan asnjëherë dhe pyetjet për financimin e saj u injoruan. Në mesin e vitit 2025, Air Albania ishte kthyer në një kompani fantazmë. Biletat shiteshin, por fluturimet zhdukeshin në heshtje nga programi. Edhe fluturimi im u anulua pa rimbursim. Ndërkohë, kompania po shembej. Sipas raportimeve, vetëm një avion mbeti aktiv – një mjet i marrë me qira nga kompania bullgare Sky to Fly. Të gjithë avionët e tjerë ishin bllokuar ose rikthyer pronarëve. Në 2025, Air Albania mori dy Boeing 737-800 nga kompania ukrainase SkyUp, duke rënë dakord për parapagim dyvjeçar. Por pagesat nuk u bënë kurrë. SkyUp e akuzoi Air Albania për shkelje kontrate dhe tërhoqi avionët. Çështja është në gjykatë, me seancë në dhjetor 2025. Ndërkohë, brenda kompanisë, menaxhmenti i lartë raportohej se po tërhiqte fonde ndërsa Air Albania i afrohej falimentimit, duke lënë pas punonjës dhe kreditorë.

Kritikët e përshkruajnë Air Albania si një tjetër projekt mafioz nga Vlora: qytetarët paguajnë bileta, kompania shembet, të brendshmit pasurohen. Punonjësit raportuan paga të papaguara dhe kontribute të munguara. Pilotë dhe stjuardesa përshkruan muaj të tërë kaosi. Aktualisht, kompania operon vetëm një linjë, Tiranë–Stamboll, por edhe ajo shpesh vonohet ose anulohet. Me vetëm një avion aktiv, mbajtja e një programi është praktikisht e pamundur. Kjo ngre pyetje serioze edhe për sigurinë teknike të mjetit.

Në gusht 2025, kompania amerikane GA Telesis paditi Air Albania dhe Turkish Airlines në Gjykatën e Lartë të Anglisë dhe Uellsit, duke pretenduar se kompania shqiptare kishte ndaluar së paguari qiranë për dy Airbus A320, por vazhdonte t’i përdorte. Turkish Airlines, si garant financiar, refuzoi përgjegjësinë dhe ia la atë vetëm Air Albania-s.

Ndërkohë, skandali u shoqërua edhe me presion ndaj gazetarëve që investigonin. Disa raportime flasin për kërcënime, telefonata, mesazhe dhe madje sulme fizike. Rasti më i rëndë përfshiu emisionin investigativ “Piranja”, ekipi i të cilit u përball dhe u sulmua pranë zyrave të Air Albania-s në Tiranë. Pajisjet u shkatërruan, pamjet u zhdukën. Qeveria s’u prononcua kurrë.

Për shumëkënd, Air Albania nuk është thjesht një linjë ajrore e dështuar, por pjesë e një sistemi shumë më të madh. Disa media kanë raportuar se kryeministri Rama ndodhet në qendër të një rrjeti që lidh politikën, biznesin dhe krimin e organizuar – pretendime që unë nuk mund t’i verifikoj. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, sot i arratisur në Zvicër, pretendon se Rama takohej me figura mafioze brenda zyrës së tij. Rama i mohon të gjitha. Por televizioni publik “Report” publikoi foto të Ramës me Luftar Hysën, një person të identifikuar nga autoritetet kanadeze si pastrues parash për kartelin Sinaloa. Dy muaj më vonë, Hysa mori licencë për të hapur një kazino luksoze në Vlorë.

Transparency International ka evidentuar “ligjet e qepura me porosi” që rregulluan projektet kryesore të vendit, përfshirë Air Albania dhe aeroportin e Vlorës, duke i dhënë kontratat publike kompanive të lidhura me qeverinë, jashtë konkurrencës. Kritikët thonë se këto ligje thjesht legalizuan korrupsionin. Ndërkohë, BE vijon të japë mbështetje. Ursula von der Leyen ka lavdëruar Ramën dhe ka thënë se Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt integrimit, megjithëse raporte ndërkombëtare e kanë përshkruar vendin si “narko-shtet”, me elita të lidhura me kartele droge nga Ballkani deri në Amerikën Latine.

Deri në fund të vitit 2025, Air Albania është në prag të kolapsit. Vetëm një avion fluturon. Flota është pothuajse e gjitha e konfiskuar. S’ka bilance publike, s’ka të dhëna për borxhet. Shteti mban ende 10%, ndërsa partnerët privatë përballen me padi të shumta. Pavarësisht kërkesave të shumta, qeveria nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Zyrtarisht, kompania ekziston; në realitet, është një guackë pa staf, pa flotë, pa të ardhme.

Unë kam tentuar të kontaktoj Air Albania për më shumë se një muaj. Asnjë përgjigje. As email, as deklaratë, as njoftim. Duke qenë se informacioni është kaq i gjerë, është e pamundur të verifikohen të gjitha pretendimet. Disa media shqiptare pretendojnë se ekziston një fushatë për të diskredituar kompaninë – gjë që as e konfirmoj, as e mohoj dot. Turkish Airlines ka theksuar se është vetëm partner dhe nuk mban përgjegjësi për borxhet. E vetmja gjë e sigurt është se e vërteta rreth Air Albania-s mbetet e paqartë – dhe heshtja e palëve e bën edhe më të vështirë ta zbulosh.

Sipas raporteve të Alfa Press dhe dokumenteve të atribuuara kompanisë, disa hetime pretendojnë se vetë Sinan Idrizi drejtonte skemën mashtruese të lidhur me Air Albania. Po sipas këtyre raportimeve, gruaja dhe vajza e tij – të dyja thuhet nën hetim – zotërojnë 41% të aksioneve. Pretendohet gjithashtu se Idrizi ka zhvendosur familjen në Stamboll për t’i shpëtuar ndjekjes penale dhe se janë përfshirë në aktivitete me grupe kriminale turke, qipriote, izraelite dhe arabe. Këto janë akuza të rënda të bazuara vetëm në raportime mediatike dhe nuk kam mundur t’i verifikoj.

Dhe dua ta theksoj: kjo histori nuk është kundër Shqipërisë si vend apo ndaj shqiptarëve, të cilët mbeten njerëz krenarë dhe mikpritës.

Historia e Air Albania nuk ka të bëjë vetëm me një linjë ajrore. Ajo tregon se si institucionet publike, interesat private dhe pushteti politik mund të shkrihen mes tyre derisa përgjegjshmëria të zhduket. Çfarë nisi si projekt kombëtar për të rikthyer krenarinë dhe për ta lidhur Shqipërinë me botën, u shndërrua në një rrjet marrëveshjesh të fshehta, kompanish offshore dhe qarkullimesh të paverifikueshme parash. Premtimet për transparencë u zëvendësuan nga marrëveshje dypalëshe, ndërsa fondet publike u përzien me përfitime private. Ideja e një linje kombëtare u kthye në simbol të brishtësisë së projekteve shtetërore kur besimi publik shitet si diçka pa vlerë.

Dokumentet, kontratat e rrjedhura dhe dëshmitë e punonjësve tregojnë një sistem ku besnikëria shpesh vlen më shumë se ligji dhe heshtja zëvendëson kontrollin. Pasojat janë të prekshme: pasagjerë pa rimbursime, punonjës pa rroga, dhe taksapagues që mbulojnë borxhe për të cilat nuk dhanë asnjëherë pëlqimin.

Për shumë analistë, Air Albania është kthyer në një studim rasti për mënyrën se si korrupsioni funksionon qetësisht përmes boshllëqeve ligjore, partneriteteve “të ngrohta” dhe mbrojtjes politike. Ajo që duhej të ishte krenaria e një kombi, sot shihet si prova se sa lehtë humbet kjo krenari kur sistemi i përgjegjshmërisë dëmtohet./Pamfleti

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne