Në Konventën e IV të Familjes, e cila po zhvillohet sot në Tiranë, pastori Akil Pano ka mbajtur një fjalim të fortë kundër miliarderit George Soros dhe agjendës së tij globale.
“Titaniku i ekstremit të majtë Soros është fundosur dhe agjenda e tyre ka marrë fund,” deklaroi Pano, duke vënë theksin te nevoja për të mbrojtur familjen dhe vlerat tradicionale shqiptare nga ndikimet e huaja.
Në një kohë kur Shqipëria përballet me skandale qeveritare, ministra në burg dhe akuza të rënda ndaj zyrtarëve të lartë, Pano kritikoi ashpër përpjekjet për të imponuar ligje që cenojnë familjen, përfshirë ato mbi surrogacinë dhe sterilizimin. “Kryeministri propozon ligje që rrezikojnë të ardhmen e të rinjve tanë, ndërsa projektet e tyre kërcënojnë edhe sigurinë kombëtare,” tha ai.
Pastori Pano e cilësoi të përfunduar epokën e “prindit 1 dhe prindit 2” dhe të “mbi 66 gjinive”, duke theksuar se “babi dhe mami kanë fituar, natyra dhe tradita kanë triumfuar”.
Ai përmendi gjithashtu vendimin e fundit të ish-presidentit amerikan Donald Trump për të liruar 26 persona të burgosur në SHBA, vetëm sepse kishin protestuar paqësisht kundër aborteve. “Epoka ka ndryshuar, ne kemi fituar, dhe tani është koha të mbrojmë familjen dhe lirinë tonë,” përfundoi Pano./gazetaimpakt