Bota

Aktorja holivudiane Portman akuzon Izraelin për racizëm

Aktorja amerikane me origjinë hebreje, Natalie Portman, e cilësoi si “racist” ligjin kontrovers të Izraelit të miratuar në korrik me të cilin shteti izraelit definohet si “shtet-komb hebre”.

Aktorja amerikane me origjinë hebreje, Natalie Portman, e cilësoi si “racist” ligjin kontrovers të Izraelit të miratuar në korrik me të cilin shteti izraelit definohet si “shtet-komb hebre”, transmeton Anadolu Agency.

“Ishte gabim dhe nuk pajtohem me këtë ligj. Shpresoj se vërtet do të mund t’i duam fqinjët dhe të punojmë së bashku me ta”, tha Portman në një intervistë për Al-Quds Al-Arabi, gazetë me bazë në Londër në gjuhën arabe.

Ndryshe, aktorja Natalie Portman këtë vit refuzoi të pranojë “Çmimin Genesis”, i njohur ndryshe si “Nobeli Hebre”, i cili u ndahet individëve me ndikim botëror të cilët do të jenë frymëzim për brezat e ardhshëm të hebrenjve.

Portman kishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve pasi bojkoton kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Zgjodha të mos marr pjesë pasi nuk desha t’i jap pëlqim Benjamin Netanyahut, i cili do të mbante fjalim në ceremoni”, ishte shprehur Portman.

Ceremonia e Çmimeve Genesis e këtij viti ishte anuluar pas njoftimit të Portman për mospjesëmarrje.

Ligji “shtet-komb hebre”, i miratuar në parlamentin izraelit më 19 korrik, ndan tetë milionë qytetarët në dy kategori. Sipas tij, 20 për qind e arabëve në popullsinë totale prej tetë milionë banorëve, cilësohen si qytetarë të klasës së dytë.

Ligji po ashtu hoqi arabishten nga gjuhët zyrtare dhe gjuhë të vetme zyrtare e cilëson vetëm hebraishten.

“E drejta për vetëvendosje në vend u përket vetëm hebrenjve. Izraeli ishte atdheu historik i të gjithë hebrenjve në botë. Të gjithë hebrenjtë në botë kanë të drejtë të kthehen në Izrael. Ditët fetare të hebrenjve do të llogariten festa zyrtare. Kryeqyteti i Izraelit është Kudsi”, janë disa nga pikat më kontroverse të ligjit, që shpërfillin të drejtën dhe praninë historike të palestinezëve në këto troje.

OPINIONE