Gazeta Impakt zhvilloi një intervistë me analistin Alfred Cako lidhur me ndalimin në aeroport të teologut dhe intelektualit të njohur islam, Imam Imran Hoseini, i cili u pengua të hynte në territorin shqiptar, ndonëse kishte vizituar vendin tonë edhe më parë. Cako e cilëson këtë veprim si një akt të pakuptimtë dhe të pajustifikuar nga institucionet shqiptare, duke theksuar se ai përbën një njollë për imazhin e vendit dhe një shkelje të parimeve të lirisë fetare dhe të fjalës së lirë.
Në vijim, ai jep qëndrimin e tij mbi arsyet e mundshme të këtij vendimi dhe mënyrën se si u trajtua Imam Hoseini në aeroportin e Rinasit.
1. Si e komentoni moslejimin e hyrjes në Shqipëri të Imam Imran Hoseinit?
Ky është një ndalim i pakuptimtë, pasi sektori i antiterrorit bashkëpunon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, të cilët nuk e kanë ndaluar kurrë Imran Hoseinin në vendet e tyre. Ai nuk ka qenë asnjëherë subjekt dyshimi për çështje të tilla. Përkundrazi, Imam Hoseini është një intelektual islamik që predikon kundër dhunës dhe për paqe në botën islame.
2. Duke qenë se Imam Hoseini ka hyrë edhe dy herë më parë në Shqipëri pa asnjë problem, pse mendoni se institucionet shqiptare ndryshuan qëndrim këtë herë?
Edhe kjo mbetet e pakuptueshme. Autoritetet duhet të jepnin shpjegime publike mbi arsyet e këtij vendimi. Ndoshta një avokat, me autorizim nga Imam Hoseini, mund të kërkonte zyrtarisht sqarime nga strukturat e antiterrorit dhe të sigurisë kombëtare për të kuptuar se mbi çfarë baze ligjore është marrë ky vendim.
3. Kush mendoni se ka ndikuar te autoritetet shqiptare për të marrë një vendim të tillë?
Mendoj se ky rast tregon qartë se institucionet shqiptare janë nën ndikimin e të huajve. Imam Hoseini nuk ka bërë asnjë deklaratë apo veprim kundër shtetit shqiptar, por ka folur hapur kundër veprimeve gjenocidale të Izraelit ndaj popullit palestinez. Kjo retorikë e tij, e cila është pritur me interes nga besimtarët shqiptarë, ka shqetësuar qarqet izraelite dhe ato që kontrollojnë segmentet e shërbimeve të sigurisë në Shqipëri.
4. Si e vlerësoni trajtimin që iu bë Imam Hoseinit në aeroport, ku u mbajt për disa orë pa shpjegim dhe më pas u detyrua të kthehej?
Është e papranueshme dhe e turpshme për një shtet që pretendon të jetë demokratik. Shqipëria u bë rasti i parë që ndalon një klerik të përmasave ndërkombëtare si Imran Hoseini. Ky veprim do të mbetet një njollë turpi në historinë tonë dhe tregon mungesë respekti ndaj lirisë së besimit dhe të mendimit.
5. A mund të thuhet se Imam Hoseini përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë?
Absolutisht jo. Hoxha Imran është 83 vjeç dhe i sëmurë. Armët e tij janë librat dhe fjala. Asnjë shtet demokratik dhe i lirë nuk duhet të trembet nga këto “armë” të urtësisë dhe dijes, të cilat në fakt ndihmojnë në zhvillimin shpirtëror dhe intelektual të shoqërisë./gazetaimpakt
















