DIJETARËT MYSLIMANË DHE DESHIFRIMI I HIEROGLIFEVE EGJIPTIANE: NJË KONTRIBUT I HARRUAR NË HISTORINË E DIJES

Behar Kaceli

Deshifrimi i Gurit të Rozetës nga Jean-François Champollion, është përrallë.

Studiuesi Ukasha el-Dali, ligjërues në Universitetin e Londrës, ka dalë në përfundim se dijetarët myslimanë kishin njohuri rreth gjuhës hieroglifike që në shek. IX, ndryshe nga ideja e përhapur se ata e konsideronin Egjiptin e lashtë si një civilizim pagan që nuk u interesonte.Ukasha shtoi se ai ka gjetur në disa biblioteka, si në Parisi dhe në Stamboll, dorëshkrime që përmbajnë tabela me ekuivalentët fonetikë të shkronjave hieroglifike.

Ibn Uahshij’je dhe Dhu’n-Nun
Por më e rëndësishmja, sipas el-Dali është se, në një kohë kur evropianët mendonin se shkronjat hieroglifike nuk ishin veçse simbole magjike, dijetarët arabë arritën të zbulonin dy parime themelore në këtë fushë: së pari, se disa simbole përfaqësojnë tinguj, dhe së dyti, se simbolet e tjera shprehin kuptimin e fjalës në mënyrë figurative.
Këtë arritje e realizoi Ahmad ibn Ebi Bekr ibn Uahshij’je, një dijetar që jetoi në Irak gjatë shekujve IX–X. Vepra e tij “Shauq al-Mustaham fī Ma‘rifat Rumuz al-Aklm” (Dëshira e zjarrtë për të njohur simbolet e shkrimeve) trajton sistemet e shkrimit të lashtë, dhe u përkthye në anglisht e u botua në Londër më 1806.

El-Dali thotë: “Ata e kuptuan se nuk ishin thjesht figura, siç mendonin autorët klasikë. Ibn Uahshij’je ishte i pari studiues në histori që foli për simbolet me kuptim të caktuar, të cilat i përshkroi në një paragraf që çdo studiues modern do të mund të krenohej me të”.

Një tjetër dijetar ishte sufisti Dhu’n-Nun el-Misri, i cili u rrit në krahinën e Ahmimit, në Egjiptin e sipërm, në fillim të shek. IX, kur shumica e banorëve vendas ende flisnin koptishten, gjuhë që rrjedh nga ajo e egjiptianëve të lashtë. Champollion-i, që deshifroi hieroglifet, nuk do të kishte mundur ta bënte këtë pa njohjen e koptishtes, e cila ishte zhdukur nga përdorimi i përditshëm në mesjetë dhe sot përdoret vetëm në meshët e Kishës Kopte Egjiptiane. El-Dali theksoi se dorëshkrimi që ai ka zbuluar tregon se Dhu’n-Nun el-Misri njihte koptishten, demotikën dhe hieroglifet. Djemotikja ishte një formë e shkurtuar e hieroglifeve, e përdorur nga shkruesit që nuk kishin kohë të shkruanin të gjitha shenjat e plota.
El-Dali thotë se studiuesit myslimanë nuk kanë shpjeguar se si e kanë mësuar gjuhën e lashtë egjiptiane, por ai nuk e përjashton mundësinë që disa prej sistemeve të vjetra të shkrimit të kenë vazhduar të ekzistojnë në Egjiptin e Sipërm. Ai shtoi se problemi në egjiptologji qëndron në supozimin se njohuritë mbi gjuhën e lashtë egjiptiane janë zhdukur plotësisht me ardhjen e islamit. Megjithatë, fakti që këto njohuri mbi hieroglifet duket se kanë qenë ende të gjalla kur myslimanët erdhën në Egjipt, tregon se ata e shihnin Egjiptin si tokën e dijes dhe urtësisë, dhe për këtë arsye dëshironin të mësonin hieroglifet për të hyrë në këtë trashëgimi njohurie.
El-Dali pajtohet me mendimin e përgjithshëm se në fillim të epokës moderne shumica e arabëve dhe myslimanëve nuk i kushtonin vëmendje kulturave të lashta. Megjithatë, ai vëren se studiuesit vazhduan të kopjonin dorëshkrimet islame të vjetra që flisnin për Egjiptin e lashtë, madje deri në shek. XVIII. El-Dali e lidh këtë hendek njohës me faktin që egjiptologët dhe studiuesit e arabistikës janë kufizuar secili në fushën e vet të specializimit. Ai shton: “Është për të ardhur keq që jam unë i pari që e kam bërë këtë… Unë jam marrë vetëm me disa qindra dorëshkrime. Por ka mijëra të tjera”./fb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne