Nga Behar Kaceli
Ali Efendi, i njohur gjithashtu me nofkën “Zenbil-li/Shporta”, ishte një prej personaliteteve më të shquara të institucioneve fetare në Perandorinë Osmane, duke shërbyer si shejh’ul-islam gjatë periudhës 1503–1526. Ai kreu këtë funksion në një kohë vendimtare për organizimin dhe fuqizimin e institucionit të shejh’ul-islamit, nën sundimin e tre sulltanëve osmanë: Bajezidit II (1481–1512), Selimit I (1512–1520) dhe Sulejmanit të Madhërishëm (Kanuni) (1520–1566).
Institucioni i shejh’ul-islamit, gjatë kësaj periudhe, mori formën dhe rëndësinë që do të mbante më pas në strukturën shtetërore osmane. Merita kryesore për këtë i njihet Ali Efendiut, i cili, përmes autoritetit, karakterit të palëkundur dhe përkushtimit të tij, e ngriti këtë funksion në një nga më të lartit në hierarkinë shtetërore osmane.
Në aspektin arsimor dhe shkencor, Ali Efendiu ishte nxënës i disa prej dijetarëve më të njohur të kohës, dhe përpara se të merrte postin e shejh’ul-islamit, ai shërbeu si myderriz në disa medrese të njohura në Edirne dhe Bursa. Gjithashtu, ushtroi detyrën e myftiut në qytete të rëndësishme si, Amasja dhe Stambolli.
Origjina e tij është e diskutueshme, por në disa burime ai përmendet si shqiptar. Kjo përkatësi etnike evidentohet në dy publikime, njëri në gjuhën shqipe “Një vepër e madhe në harresë”, (Kultura Islame, Nr. 16, Dhjetor 1940), dhe tjetri në gjermanisht dhe boshnjakisht nga studiuesi boshnjak Smail Baliç, i cilie përmend Ali Efendiun në kontekstin e kontributit shqiptar në kulturën islame ballkanike (Drugo Izdanje, Zagreb 1994).
Një nga momentet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij si shejh’ul-islam ishte fetvaja e vitit 1492, me të cilën ndaloi hakmarrjen ndaj të krishterëve të Ballkanit, pas përndjekjeve që pësuan muslimanët në Gadishullin Iberik. Sulltan Selimi I, si shenjë hakmarrje ndaj masakrave që pësuan muslimanët e Andaluzisë në vitin 1492, urdhëroi që të krishterët e Ballkanit dhe të anës lindore të Danubit, të dëbohen me dhunë ose të konvertohen në muslimanë. Mirëpo Ali Efendiu me fetvanë e tij e ndaloi një veprim të tillë dhe e shpalli atë si të jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me sheriatin dhe vlerat islame.
Sipas historianit von Hammer “te krishterët e Ballkanit e shihnin si engjëll mbrojtës atë”, kjo fetva ndihmoi në shmangien e masakrave dhe ndaloi përndjekjet ndaj popullsisë së pafajshme. Ky akt është konsideruar nga bashkëkohësit e tij të krishterë si shprehje e lartë e tolerancës dhe drejtësisë islame. (Nehat Krasniqi, Kontribute Albanologjike, Prishtinë 2011).
Pseudonimi i tij “Zenbil-li/Shporta” ka lidhje me mënyrën e veçantë të ofrimit të fetvave, ai kishte vendosur një shportë poshtë dritares së tij, ku qytetarët linin pyetjet e tyre dhe merrnin përgjigjet me shkrim, pa e takuar fizikisht.
Kjo metodë rritej mbi parimin e paanshmërisë dhe drejtësisë absolute, pasi Ali Efendiu nuk i shihte dhe as nuk i njihte kërkuesit e fetvave dhe opinioneve te tij./gazetaimpakt