Shtetet e Bashkuara presin që puna e Komisionit Anti-korrupsion të jetë transparente dhe në përputhje me Kushtetutën. Në një reagim në rrjetin social X, ambasada amerikane shprehet se do të angazhohet me këtë komision, ndërsa shton se duhet të ruhet pavarësia e institucioneve.
“Si një partner i palëkundur i përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin “ad hoc” për qeverisjen e mirë, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Pritshmëritë tona janë që puna e komisionit të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente, të përputhet me Kushtetutën, të mbrojë pavarësinë e institucioneve dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Komisioni, një nismë e propozuar nga PS, u miratua me 74 vota pro dhe 6 kundër në parlament në fund të Majit.