Ambasadat e Turqisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni pritje për Ditën e Fitores

Ambasadat e Turqisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, organizuan sot pritje solemne me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores së Madhe dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, festë kombëtare e Turqisë e cila shënon fitoren e vendit në betejën e fundit në luftën për pavarësi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pritjen organizuar në Ambasadën e Turqisë në Tiranë morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, diplomatë, ushtarakë, etj.

Zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, duke mbajtur një fjalë përshëndetëse për të pranishmit lexoi edhe mesazhin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Duke u ndalur tek mesazhi i presidentit turk, ai theksoi se Turqia, ashtu si 95 vjet më parë, ka të njëjtën vendosmëri për të eliminuar kërcënimet ndaj pavarësisë ekonomike dhe politike.

Baş u ndal në fjalën e tij në përpjekjet e Turqisë në luftën kundër terrorizmit, si ndaj organizatave terroriste FETO, DEASH, PKK dhe PYD, duke theksuar se “Me këtë luftë, Turqia po ofron sigurinë e qytetarëve të saj dhe sigurinë globale”.

Ndërsa, pritja e cila u organizua me mikpritjen e ambasadores së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç dhe atasheut ushtarak në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë nënkolonel Ruşen Abidinoğlu, filloi me një minutë heshtje dhe me intonimin e himnit të Republikës së Turqisë dhe Kosovës.

Në këtë pritje, morën pjesë ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Administratës Publike në largim, Mahir Yağcılar, konsullja e Republikës së Turqisë në Prizren, Selen Evcit, përfaqësues të forcav të KFOR-it, përfaqësues të Forcave të Sigurisë të Kosovës dhe një numër i madh deputetësh, ambasadorësh dhe përfaqësuesish të institucioneve, nga TIKA dhe Instituti “Yunus Emre”.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë lexoi mesazhin e Presidentit turk. Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e shënimit të Ditës së Fitores.

Kılıç, gjatë fjalës së saj me rastin e 30 Gushtit tha se Fitorja e Madhe e 30 gushtit ka qenë inspirim për një shtet dhe histori të re jo vetëm për Turqinë, por edhe për gjithë botën. Duke theksuar dëshirën për fuqizimin e marrëdhënieve të forta në mes të Turqisë dhe Kosovës, ambasadorja Kılıç tha se: “Është kënaqësi e veçantë për ne që po festojmë këtë ditë këtu në Kosovë me miqë tanë kosovar, për të cilët jemi krenar që kemi marrëdhënie të ngushta në shumë sfera. Ata ia dolën ta shpallin pavarësinë e tyre në vitin 2008 duke kuptuar betejën, devotshmërinë dhe dashurinë e pavarësisë sonë”, tha ambasadorja Kılıç.

Ndërkohë, në pritjen solemne të organizuar në Shkup morën pjesë kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, ministri pa Resor me origjinë turke Adnan Qahil, ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, ministri i Drejtësisë Bilen Saliji, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, shumë politikanë, akademikë, diplomatë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj pas intonimit të himneve të dy shteteve, ambasadorja turke në Maqedoni, Tülin Erkal Kara, tha se fitorja e 30 Gushtit e cila rezultoi me sukses në luftën e pavarësisë paraqet krenari për ta.

“Është gëzim dhe krenari të festojmë këtë ditë të rëndësishme në këtë shtet të bukur mik dhe vëllazëror si Maqedonia, sepse Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i Republikës së Turqisë dhe kryekomandanti i betejës përfundimtare më 30 gusht dhe shumë betejave në Anadoll gjatë luftës për pavarësi, u edukua në këto troje dhe një pjesë të edukimit ushtarak e mori në Shkollën Ushtarake në Manastir”, tha Kara.

Duke potencuar se i japin rëndësi të madhe marrëdhënieve shumëkahëshe mes Turqisë dhe Maqedonisë, Kara tha se dëshirë e tyre është që Maqedonia si një shtet prosperues dhe stabil të zë vendin e merituar në Ballkan dhe familjen euroatlantike dhe se japin përpjekje në këtë drejtim.

Ajo rikujtoi shënimin e njëvjetorit të tentativës për grusht shteti në Turqi në korrik të vitit të kaluar nga organizata terroriste FETO, për të cilën ajo tha se është një organizatë terroriste e brezit të ri e cila ka prani në shumë shtete në botë, përfshirë edhe Maqedoninë.

“Ato që ndodhën në Turqi para një viti ishin tregues se çfarë është në gjendje të bëjë kjo organizatë edhe në shtetet e tjera. Për këtë arsye, duhet qenë vigjilentë kundrejt aktiviteteve të FETO-s”, porositi ambasadorja Kara.

Në pritjen solemne u lexua edhe mesazhi i presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores.

Ndryshe, në këtë ditë, 95 vjet më parë, forcat turke me themeluesin e Republikës moderne të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, shënuan fitore të madhe kundër forcave greke në Betejën në Dumlupinar, e cila ishte e fundit në luftën e Turqisë për pavarësi mes viteve 1919 dhe 1922./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne