Analisti gjerman Martin Henze ka publikuar një koment të fortë kritik ndaj qeverisë shqiptare dhe marrëdhënies së saj me organizatën MEK (Muxhahedinët e Popullit të Iranit), e vendosur në Shqipëri prej disa vitesh.
Në reagimin e tij, Henze e cilëson MEK-un si një organizatë “me tipare mafioze, socialiste dhe terroriste”, ndërsa pretendon se kryeministri Edi Rama bashkëpunon me këtë strukturë.
Sipas tij, shërbime ndërkombëtare të sigurisë dhe media të huaja e kanë përshkruar qeverinë shqiptare si një “qeveri mafioze”, duke ngritur akuza për keqpërdorim të fondeve të taksapaguesve europianë dhe amerikanë. Henze nuk specifikon burime konkrete në këtë deklaratë.
Ai shton gjithashtu se, sipas vlerësimit të tij, MEK-u nuk është aktualisht objekt sulmi nga Irani në territorin shqiptar, ndërsa pretendon se një situatë e tillë do t’i shërbente politikisht kryeministrit Rama për t’u paraqitur si figurë shpëtuese./gazetaimpakt

















