Ankimohet vendimi për Inspektorin pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Komisioneri Publik ankimon vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Piro Samara, Inspektor pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, vendimi nr. 249, datë 6.3.2020, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk është marrë në zbatim të plotë të dispozitës ligjore, nenit “G” të aneksit të Kushtetutës, si dhe praktikës gjyqësore orientuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që kjo mangësi në vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të korrigjohet, pas shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore” thuhet në njoftimin e komisionerit.

Në vendimin e trupës së kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Etleda Çiftja vihet në dukje se ish-inspektori Piro Samara nuk gëzonte statusin e magjistratit pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësore në 22 tetor 2019.

“Për sa më lart, Komisioni konstaton se nga momenti që z. Piro Samara nuk ka statusin e magjistratit nuk mund të jetë një nga subjektet e rivlerësimit, që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit ex officio”, thuhet në vendim.

Në tetor 2019 Këshilli i Lartë Gjyqësorë vendosi përfundimin e statusit të magjistratit për tre nga 8 inspektorë të Inspektoratit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Katër nga inspektorët u vlerësua se kishin statusin dhe u komanduar pranë KLGJ-së, deri në ngritjen e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne