Shkarkonte ndotje industriale në lumin Fan, IKMT gjobit me 2 mln lekë kompaninë e bakrit

Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë-Arrëz ka shkaktuar ndotje masive duke derdhur sterile të koncentratit në ujërat e lumit.

Pas denoncimeve të banorëve ka ndërhyrë Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit. Gjatë kontrollit të ushtruar nga IKMT dhe Policia e Shtetit u konstatua se kjo fabrikë shkarkonte ujërat e ndotura industriale në lumin Fan i Madh. Kompania BER-ALB SHA është gjobitur me 2 milion lekë për katastrofën ekologjike.

Kjo kompani me vendndodhje në Fushë-Arrëz prej vitesh ushtron aktivitetin në fushën minerare dhe nuk është hera e parë që banorët ankohen për dëmet e pariparueshme që ka shkaktuar në ekosistem.

Më të prekura nga kjo ndotje masive janë fshatrat Gjegjan, Rrash, Gojan, Shkozë dhe Breg në Bashkinë e Fushë-Arrëzit të cilët e përdorin ujin e lumit për të vaditur tokat. Ndotja nga fabrika po shkatërron biodiversitetin si dhe ka dhënë ndikim negativ në rreth 700 ha tokë, përgjatë lumit Fan i Madh. /Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne