Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës ka paralajmëruar se gjeneratorët elektrik në spitale do të pushojnë së funksionuari për shkak të mungesës së karburantit, “Ne u bëjmë thirrje OKB-së dhe institucioneve humanitare që të ofrojnë sa më shpejt karburantin e nevojshëm për të garantuar ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve për pacientët për të ruajtur jetën e tyre”, tha ministria palestineze.
Izraeli ka nisur një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz. Të paktën 34.300 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 77.300 të tjerë janë plagosur në mes të një rrethimi të vendosur nga Izraeli, i cili la të gjithë popullsinë, veçanërisht banorët e Gazës veriore, në prag të urisë. Disa spitale janë jashtë shërbimit në të gjithë enklavën e rrethuar për shkak të sulmeve dhe kufizimeve izraelite.
Të hënën, Tlaleng Mofokeng, raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtën për shëndet, tha se lufta në Gaza ka “fshirë plotësisht” sistemin shëndetësor atje dhe e drejta për shëndet është shkatërruar në “çdo nivel”. Sipas OKB-së, më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në gërmadha, duke çuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA