Bota Kultura

Antalia thyen rekord historik, për herë të parë mbi 15 milionë turistë

Sipas shifrave zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kulturës dhe Turizmit – Antalie, 15 milionë e 567 mijë turistë kanë vizituar Antalien në vitin 2019 duke vendosur një rekord turistik historik me vizitorë të ardhur nga 193 vende.

E vlerësuar shpeshherë si “kryeqyteti turistik i Turqisë”, Antalia ka qenë gjithmonë një qendër interesi për turistët që kërkojnë të shijojnë plazhet e pacenuara mesdhetare dhe historinë e pasur të kësaj zone, e cila ka qenë shtëpi për civilizime të panumërta.

Rusët treguan interesin më të madh për Antalien me rreth 5,5 milionë turistë nga 1 janari deri më 31 tetor, 16 për qind më shumë sesa shifrat e vitit të kaluar.

Gjermanët u renditën të dytët me rreth 2,5 milion duke shënuar një rritje po ashtu me 16 për qind në krahasim me një vit më parë.

Ukraina u rendit e treta me gati 800 mijë turistë, ndërsa numri i vizitorëve britanikë shkoi në 686 mijë duke u renditur të katërtit në listë.

Vizitorët nga Polonia arritën në 535 mijë, ata nga Holanda në 424 mijë dhe vizitorët nga Rumania në gati 250 mijë.

Tregu i turizmit është zgjeruar shumë në Turqi këtë vit duke bërë një hap kolosal në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Ministria e Kulturës së Turizmit njoftoi në fund të tetorit se Turqia tërhoqi 36,4 milionë turistë në 10 muajt e kaluar të vitit duke shënuar një rritje me 14,5 për qind, ku Antalia ka luajtur një rol të rëndësishëm.

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Sentop, bëri me dije në fillim të këtij muaji se Turqia synon të tërheqë 75 milionë turistë në vitin 2023 dhe të sigurojë 65 miliardë dollarë të ardhura prej tyre./trt

OPINIONE