Bota

Anulohet vizita e ministres së Holandës në Arabinë Saudite

Është anuluar vizita e ministres së Tregtisë së Jashtme dhe Bashkëpunimit të Zhvillimit të Holandës, Sigrid Kaag në Arabinë Saudite, të cilën duhej ta realizonte në muajin dhjetor për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte gjatë vizitës në Kanada deklaroi se është anuluar vizita e ministres Kaag në Rijad, të cilën planifikonte ta realizonte në muajin dhjetor me një delegacion të madh nga bota e biznesit. Vizita duhej të realizohej për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.

Rutte ka thënë se anulimi i kësaj vizite ka ndodhur për shkak të arritjes në përfundim se gazetari saudit Jamal Khashoggi është vrarë.

Javën e kaluar Ministria e Jashtme e Holandës njoftoi se ministri holandez i Financave, Wopke Hoekstra nuk do të marrë pjesë në konferencën për investime, e cila u mbajt mes datave 23-25 tetor në Rijad, nën kujdesin e princit trashëgimtar të Arabisë, Saudite Muhammed bin Selman.

Burimi: AA

OPINIONE