Arabia Saudite ka dënuar ashpër sulmet e fundit ushtarake të Izraelit ndaj Iranit, duke i quajtur ato një “shkelje të sovranitetit iranian” dhe një shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite shprehu “dënimin dhe denoncimin” e mbretërisë saudite për sulmet izraelite, duke theksuar se ato përbëjnë një “shkelje serioze të integritetit territorial të Iranit dhe bien ndesh me normat dhe ligjet e vendosura ndërkombëtare”.
Mbretëria saudite përsëriti qëndrimin e saj “të vendosur kundër përshkallëzimit të vazhdueshëm të konfliktit dhe zgjerimit të dhunës”, për të cilën ajo paralajmëroi se përbën një “kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe popullit të tij”.
Arabia Saudite gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira të ushtrojnë “përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin hapa aktive për të ulur tensionin”.
Më tej, paralajmëroi për pasojat e konfrontimeve të vazhdueshme ushtarake, duke bërë thirrje për “përpjekje të menjëhershme për të de-përshkallëzuar situatën”.
Më herët, ushtria izraelite tha se ka përfunduar sulmet ajrore të shënjestruara ndaj objekteve ushtarake iraniane në përgjigje të sulmit me raketa balistike në shkallë të gjerë të Iranit ndaj Izraelit më 1 tetor. Irani, nga ana tjetër, tha se është i gatshëm të hakmerret kundër “agresionit” izraelit./AA