Pas gjashtë muajsh në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar lidhur me dosjen e incineratorit, sot më 6 janar, ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj i ‘digjet’ mandati i deputetit.
Siç e parashikon Kushtetuta, Ahmetajt i ndërpritet menjëherë mandati i deputetit pas 6 muajsh mungese në Kuvend dhe një tjetër përfaqësues do të radhitet krahë socialistëve. Pas pushimeve të fundvitit, Kuvendi do të duhet të konstatojë pavlefshmërinë e mandatit dhe të njoftojë KQZ-në me vakancën, ndërsa institucioni i zgjedhjeve të bëjë zëvendësimin sipas rezultateve të zgjedhjeve të 2021 në qarkun e Tiranës, aty ku Ahmetaj u zgjodh deputet me 11.287, duke u renditur në top-listën e 5 më të votuarve të PS në këtë qark.
Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën.
Megjithatë, ka zëra se Bici aktualisht drejtoreshë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, pritet të mos e pranojë mandatin, kështu automatikisht do i kalojë juristit Plarent Ndreca, i cili ka siguruar në zgjedhjet e vitit 2021, 4008 vota në Tiranë. Mbi Arben Ahmetajn rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve.
Në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe fshehje të produkteve të veprës pendale, Arben Ahmetaj, zhvishet edhe nga detyra e fundit, e deputetit të partisë socialiste. Mandati i tij quhet i përfunduar pasi për 6 muaj rresht ish numri dy i qeverisë mungoi pa arsye në kuvend. Ky parashikim në kushtetutë i jep të drejtë kryeparlamentares Lindita Nikolla, që në nisje të parlamentit të bëjë me dije përfundimin e mandatit dhe të vë në dijeni Komisionin Qendror të zgjedhjeve për zëvendësimin e Arben Ahmetaj.
Sipas rezultateve të dala nga vota e parlamentareve të 2021-it, mandatin e deputetit e merr Dallëndryshe Bici. Mbetet për t’u parë nëse ajo do të lërë detyrën e drejtueses së Kadastrës pas 11 muajsh në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të dokumenteve të pronësisë. Jo zyrtarisht emri më i përfolur për t’u ulur në karrigen e deputetit është juristi dhe anëtari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Plarent Ndreca. Për nga sasia e votave të marra ai renditet pas Dallëndyshe Bicit.
Grupi parlamentar i socialistëve nuk do të jetë i vetmi që do të rikthehet në Kuvend me ndryshime. Pjesës më të madhe të opozitës pritet t’i mungojë lideri i saj, Sali Berisha, për shkak të arrestit në shtëpi. Ndryshimet apo mungesat te shumica socialiste dhe opozita janë kokëçarja më e vogël për qeverinë përballë vendosmërisë së demokratëve për të trazuar jetën parlamentare.
Tymueset, barrikadat me karrige apo çdo formë tjetër që pamundëson normalitetin në kuvend mbeten deri më tani skenarë të pandryshuar për opozitën që nga ana tjetër shumica socialiste e kërcënon me përjashtime që shkojnë deri në 60 ditë pa punë e rrogë./tpz