Arben Ahmetaj intervistë nga arratia, qeveria i heq pasaportën diplomatike

Teksa është paralajmëruar një intervistë e dytë e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia, për gazetarin Çim Peka ditën e nesërme, vjen lëvizja nga qeveria “Rama”. Duket se qeveria ka ndërmarrë një tjetër hap për të ‘zhveshur’ nga çdo privilegj Ahmetajn, i cili është shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorëve.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ka parë një shkresë të Ministrisë të Punëve të Jashtme që mban datën 30 Janar 2024. Drejtoria e Çështjeve konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i ka drejtuar një kërkesë të gjitha misioneve diplomatike dhe konsullatave shqiptare në botë. Njoftohen për shpalljen të pavlefshme dhe jashtë qarkullit të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt, e cila kishte vlefshmëri deri në vitin 2033.

Ministria e Punëve të jashtme e bazon nxjerrjen të pavlefshme të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt në vendim e qeverisë të 2019-tës për “Kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe atyre të shërbimit”. Kjo lëvizje e qeverisë vjen vetëm dy javë pasi vendi Arben Ahmetajt si deputet u zëvendësua nga Plarent Ndrecaj.

Ish-numri dy i qeverisë shqiptare është vënë nën akuzë nga SPAK si i dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në Korrik të vitit të shkuar Kuvendi i dha SPAK aprovimin për arrestimin e Ahmetaj por ai për ti shpëtuar përballjes, me arrestimin zgjodhi të largohej nga Shqipëria. Në fund të vitit të shkuar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët kreu i SPAK Altin Dumani u pyet për personin nën hetim Arben Ahmetaj nga ku deklaroi se: “Për ne Arben Ahmetaj është një person që kërkohet ndërkombëtarisht. S’mund të them asgjë mbi informacionet që kërkoni për vendndodhjen, nuk e ndajmë dot këtu. Ai në raport me SPAK është në kërkim. Është një çështje që po hetohet përditë”, theksoi numri një i SPAK./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne