Arben Ahmetaj po tenton të fitojë azil politik.

Avokati Genc Gjokutaj ka folur sot në rubrikën “Opinion” në News24 për largimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, teksa parlamenti i dha “OK” SPAK për arrestimin e tij.

Gjokutaj deklaroi se Ahmetaj është zyrtarisht i kërkuar nga policia sepse mandati i arrestit tashmë ka hyrë në fuqi. Sipas tij, ish-zv.kryeministri kushtëzon prezencën e tij me lirinë, por në mungesë ai e di që nuk mund të dalë kurrë i pafajshëm.

“Gjithë kjo sagë sot mori formën e prerë. Tashmë Ahmetaj është zyrtarisht i kërkuar nga policia sepse mandati i arrestit tashmë ka hyrë në fuqi. Mandati i arrestit ka qenë i konceptuar, është marrë ai vendim, por pengesa ligjore, mungesa e autorizimit nga kuvendi e pengonte.

Ahmetaj me qëndrimin kushtëzon prezencën e tij me lirinë. Por nga pikëpamja teknike-juridike, liria do të thotë pafajësia. Zero e mundur të marrë pafajësinë duke qenë në mungesë. Në një proces avokati mbron nga shkeljet procedurale, por ata nuk mund të shpjegojnë dot rrethanat e faktit, dijeninë për situata konkrete, në lidhje dhe me praktikën dokumentare që e ngarkon z. Ahmetaj me përgjegjësi. Në ç’rrethana janë firmosur ato akte. Gjithsesi kam parasysh që dhe avokatët dhe vetë z. Ahmetaj është mjaftueshmërisht në dijeni dhe inteligjent që pafajësia në mungesë është një objektiv i parealizueshëm”, tha Gjokutaj.

Sa i përket deklaratave të ish-zv.kryeministrit, avokati Gjokutaj tha se kanë një qëllim, që është ai i marrjes së azilit në vendin ku po qëndron.

“Por të shikosh pjesën tjetër të deklaratës së tij ia atribuon të gjithë këtë çështje, këto akuza, i interpreton me bazë politike, jo juridike.

Asnjë shtet nuk mund të japë mbrojtje dhe statusin e azilantit politik nëse ti nuk vërteton se procesi në ngarkimin tënd nuk është juridik, por i nisur nga interesa politike dhe kthimi i tij në Shqipëri do të sjellë pasoja për të.

Qëndrimi i tij ka një funksion të dyfishtë, komunikon me opinion publik, por ka elementë të qenësishëm që janë një apologji e gjendjes së tij aktuale për t’u paraqitur në organet e emigracionit për të kërkuar azilimin.
Nëse ai e përfiton këtë, dhënia e azilit nga ana e një shteti të caktuar, e para e pezullon procesin e kërkimit nga Shqipëria, nuk realizohet sepse ata i japin mbrojtje. Ajo që shihet në fund të tunelit është fakti tjetër që nëse ata i japin një mbrojtje nga kthimi, është një argument i fortë për Ahmetajn, që çështja në ngarkim të tij është politikë, i cili i veshur me një petk ligjor kërkon ta penalizojë dhe kufizojë lirinë”, tha avokati.

Sipas Gjokutaj, që në momentin që një individ paraqitet dhe kërkon azil, që në moment fillon procedura dhe ai nuk mund të kthehet.

“Që sot ai shpallet në kërkim kombëtar, nëse nuk gjendet në territorin e Shqipërisë, shpallet në kërkim ndërkombëtar. Më pas jepet masa e arrestit paraprak, deri sa të dalë para një gjykatësi që të vendosë për ekstradimin ose jo. Në momentin kur kërkesa e shtetit shqiptar është rrugës, kthimi i tij pezullohet deri në marrjen e vendimit për azil.

Në rastin e refuzimit të azilit, ka të drejtën e ankimit në gjykatën administrative. Por dhe në rast se e fiton azilin, procesi vijon në mungesë të tij”, tha ai./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne