Bota

Armenët protestojnë kundër marrëveshjes për përfundimin e luftës në Karabak

Në Armeni shpërthyen protestat pasi kryeministri armen, Nikol Pashinyan pranoi humbjen duke nënshkruar marrëveshjen me Azerbajxhanin dhe Rusinë për të ndalur luftimet mbi Malësinë e Karabakut.

Protestuesit u mblodhën përpara ndërtesës qeveritare në kryeqytetin Jerevan dhe thyen dritaret, duke brohoritur parulla kundër Pashinyan-it.

Disa prej tyre hynë në zyrën e tij dhe i bënë thirrje të jepte dorëheqje.

Më herët gjatë ditës, Pashinyan njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes midis Armenisë, Rusisë dhe Azerbajxhanit, duke thënë se “solla një vendim shumë të vështirë për mua dhe për të gjithë ne”.

“Nënshkrova një deklaratë me Rusinë dhe Azerbajxhanin për përfundimin e luftës së Karabakut”, tha ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi më herët gjatë ditës se Azerbajxhani dhe Armenia kishin nënshkruar marrëveshjen.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike mbi Malësinë e Karabakut kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, por përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator.

Që atëherë, Armenia ka sulmuar në vazhdimësi civilët dhe forcat azerbajxhanse, madje duke shkelur tre marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit për gati tre dekada ka qenë nën pushtimin e paligjshëm të Armenisë./AA

OPINIONE

INTERVISTA