Arrestohen tre punonjëse të Postës Shqiptare në Durrës, përvetësuan 69 milionë lekë

Tre punonjëse të filialit të Postës Shqiptare në Durrës janë vënë në pranga në kuadër të operacionit policor të koduar “Filiali”, të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.

Sipas Policisë së Shtetit, të ndaluarat dyshohen se nuk kanë arkëtuar në degët e Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila ishte destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Në pranga janë vënë E. M., 41 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës; V. D., 59 vjeçe, shefe e financës në këtë filial; si dhe P. D., 39 vjeçe, me detyrë arkëtare/llogaritare.

Ndalimi i tyre është kryer në kuadër të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre punonjëset kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës për degët Shijak dhe Krujë.

Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne