Artan Tafani me kartë greke si Laert Haxhiu dhe Bledar Jambelli. Kush po i pajis me dokumente greke kriminelët shqiptarë?

I penduari i drejtësisë, 39-vjecari Artan Tafani, rezulton se gjatë arrestimit ka pasur me vete një kartë identiteti greke. Ajo që rëndom quhet “taftotita”, i shërben çdo shtetasi për t’u identifikuar si grek edhe në pikat e kalimit kufitar.

Gjetja e një karte të tillë tek një person me precedentë të rëndë kriminalë, risjell edhe njëherë në vëmendje skandalin e pajisjes me karta të tilla të shumë shtetasve shqiptarë, disa prej tyre të shumëkërkuar deri edhe në Rusi apo të tjerë me precedentë të rëndë kriminalë.

Të tilla karta janë gjetur në përdorim edhe nga Laert Haxhiu, Bledar Jambelli, Marius Diamanti etj. Madje Jambelli ka qenë një nga personat që ka treguar për policinë greke emrin e personit që kryesonte grupin kriminal që furnizonte shqiptarët me këto karta.

“BalkanWeb” mëson se, fillimisht skandali është zbuluar nga policia greke në fund të vitit 2021, ku u arrestua 20 persona, mes të cilëve 9 oficerë policie, 1 zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, 1 punonjës i gjendjes civile, 1 avokat dhe 8 qytetarë dhe identifikoi 34 policë të përfshirë. Ata kishin funksionuar si grup kriminal që prej 26.04.2013 deri ne 30.11.2021. Konkretisht ata pajisnin me dokumente të rregullta identifikimi dhe patenta shtetas shqiptarë që rezultojnë me precedentë të rëndë kriminalë. Gjithashtu ata lehtësonin lëvizjen e këtyre personave drejt shteteve të ndryshme të zonës ‘Schengen’ aty edhe ku në disa raste janë arrestuar.

 

Identitet që u jepeshin klientëve ishte kryesisht ai i homogjeneve nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Për çdo dokument identifikimi paguheshin 30.000 euro, ndërkohë që policia greke arriti të sekuestrojë gjatë operacionit 600.000 euro. Vetëm në kasafortën e zyrës së Drejtorit të Policisë së Aspropirgos, Jorgo Bello, u gjetën dhe sekuestruan 320 mije euro të pa justifikuara.

Por cilët ishin shqiptarët që ishin pajisur me dokumente të tillë?

Marius Dhiamandi, 37-vjeç, lindur ne Delvinë dhe banues në Athinë, u ekzekutua me armë zjarri në karburantin në pronësi të bashkëshortes së tij në 16 nëntor 2021. Ai ishte dënuar më parë për një sasi kokaine në shtetit grek, si edhe për një vrasje për të cilën kishte marrë pafajësi. Pas vdekjes Dhiamandi u zbulua se ishte autor edhe i vrasjes së belgut Kristof Waegeman në 29 maj 2020 në Athinë. Waegeman ishte një trafikant i madh kokaine, një nga të dyshuarit e dosjes “Mackerel”, ku hetohej trafiku i kokainës nga grupi i Abdelilah EM alias Black, i cili ndodhet në Dubai. Dhiamandi ishte pajisur nga grupi kriminal grek me identitetin Stergios Mazmebidis, grek me origjine nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Më 25.07.2014 në Virona, Greqi doli karta në emrin Alexei Tsvetkov, ndërsa më 25.01.2015 ky person u arrestua nga Komisariati i Halandrit dhe nga hetimet rezultoi se ishte shtetasi Mario Dervish Leskaj, i datëlindjes 26.03.1980, lindur në Shqipëri, i cili më parë ishte akuzuar për trafik droge. Në 15.12.2015 ky person u arrestua prapë organizate kriminale trafiku droge. Në banesën e tij u gjet karta me emrin Alexei Tsvetkov, e cila gjithsesi nuk u pezullua. Në 07.02.2020 kur u lirua, shkoi ne Komisariatin e Aspropirgos, kur kërkoi rinovim karte, e cila ne fakt ishte sekuestruar nga anti-droga. Kartën e rinovoi. Në 25.01.2021 në Halandri nga skuadra DIAS u ndalua për kontroll. Një nga oficerët e policisë filloi ta pyeste atë me disa fjale ruse kur e ndaloi për kontroll por ai nuk përgjigjej. Menjëherë ngarkoi foton e kartës në një grup që komunikojnë policët dhe përgjigja erdhi nga një oficer i sektorit kundër krimeve ndaj jetës dhe pronës. Ai tha se personi në foto është një shqiptar i dënuar më parë për trafik kokaine, gjobëvënie, eksploziv dhe sulm ndaj policisë. Mario Leskaj u arrestua sërish, tashmë për falsifikimin e kartës.

Biznesmeni 49-vjeçar nga Tirana, me iniciale N.E., në vitin 2015 i kishte paguar 50 mije euro grupit kriminal dhe kishte siguruar një kartë identiteti dhe një pasaportë, me të cilat udhëtoi drejt Londrës bashkë me familjen e tij dhe aty ngriti një biznes. Biznesmeni shqiptar në 6 qershor 2021 bashkë me avokatin e tij, një dëshmitar të rremë shkuan në një Komisariat policie në Greqi ku deklaruan humbjen e dokumenteve dhe kërkuan rinovimin e tyre. i vetë deklaruari si shtetas grek me emrin Damiar Hasenov, në fakt nuk dinte asnjë fjale greqisht dhe komunikoi me oficerët në anglisht. Pas një procedure hetimore, 49-vjecari zbuloi se ishte nga Shqipëria dhe quhet N. E, lindur në Tiranë. Menjëherë ndaj tij nisi ndjekja penale për falsifikim dhe u informua sektori për Çështjet e Brendshme për rastin e rëndë. E çuditshmja është se grupi kriminal nuk i la këto të dhëna të falsifikuara të shkonin dëm. Disa ditë pas zbulimit të rastit, u zbulua se këto të dhëna ishin përdorur për nxjerrjen e një karte identiteti tjetër nga Komisariati i Distomos. Madje drejtuesi i Komisariatit Aspropirgo telefonoi drejtuesin e policisë ne Axarnon që zbuloi identitetin e dyfishtë të shqiptarit por edhe drejtuesin e policisë në Distomo që kishte nxjerrë karte identiteti në emrin Damiar Hasenov, duke kërkuar informacion përtej kompetencave të tij.

Në dosjen hetimore përmendet një rast tjetër skandaloz, ai i një shqiptari nga Vlora. Në 11 janar 2019, Komisariati i Vironas u njoftua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Greke se disa ditë para datës 31 tetor 2018, shtetasi … u arrestua në Holande gjatë kontrollove për trafik droge. Gjate daktiloskopimit të tij rezultoi të ishte riregjistruar në Gjermani dhe Ceki si shtetasi shqiptar …. lindu në 1977 në Vlorë, Shqipëri. Gjatë arrestimit në Holandë rezultoi se ai kërkohej në Greqi me urdhër arresti 26.05.2016, urdhër arresti nga Prokuroria Athinë për krijim grupi kriminal trafiku droge. Ai rezulton edhe sot në kërkim, i dënuar në Athinë me 12 vjet burg dhe 51 mijë euro gjobe për trafik droge.

Një nga drejtuesit e grupit kriminal që pajiste shqiptarë me dokumenta greke është dhe Ilia Z. Në banesën e këtij të fundit u sekuestruan 294.000 euro. Ilia Z. kishte siguruar dy karta identiteti false, konkretisht më 25 korrik 2014 nga Komisariari i Vironas dhe një tjetër në 2021 nga Komisariati i Ampelokipi. Ai rezulton të jetë arrestuar në Holandë në 2018 për trafik droge. Në një dite me të, ka siguruar identitet të rremë nën emrin Alexei Tsvetkov edhe shqiptari Mario Dervish Leskaj. Leskaj rezulton të jetë arrestuar më parë për trafik droge bashkë me shqiptarin Ilia Z.

Bledar Jambelli alias Rikardo Muho, porositësi i vrasjes së Komisar Artan Cukut, rezulton të jetë pajisur me identitet grek fals nga ky grupi kriminal. Bledar Jambelli kishte siguruar në Xania një kartë identiteti dhe pasaportë greke në emrin Xristos Xamkidis. Rikardo Muho, që për policinë greke, e kishte të shtrirë veprimtarinë kriminale në Spanje dhe Greqi, në prill 2020 është marrë në pyetje nga policia greke ku ka dhënë informacion të vlefshëm lidhur me grupin kriminal të falsifikatoreve. Sipas tij, kishte paguar 35 mije euro për të ndërruar identitet dhe ketë e kishte bërë me qëllim që mos të ekstradohej në Shqipëri por të qëndronte pranë familjarëve të tij që ndodhen në Greqi.

Në 29 prill 2020 teksa ishte thirrur nga Prokuroria e Pireut për një ceshtje kontrabande cigaresh, Bledar Jambelli alias Rikardo Muho, si një “klient i pakënaqur” kishte treguar identitetin e një prej krerëve të grupit, një 62-vjecar homogjen grek nga Kazakistani. Ai tha se M. i kishte pranuar se të dhënat e identitetit që i kishin dhënë Muhos, i kishin përdorur edhe në dy persona të tjerë. Në drejtim të grupit kriminal të falsifikatoreve rezultuan dy kushurinj homogjenë grekë nga Kazakistani. Madje 37-vjecari Marius Dhiamandi nga Delvina, i vrare ne Athinë, posedues i identitetit Stergios Maznevidis, rezulton se mbante kontakte me një nga drejtuesit e grupit deri 2 muaj para se të ekzekutohej nga vrasës me pagesë.

Në 22 maj 2023, në Janinë policia greke pas një ndjekjeje ndaloi një fuoristradë tip “BMW” X6, brenda së cilës ndodheshin shqiptarët Laert Haxhiu, 31 vjeç nga Lushnja, Juxhin Barjami, 35 vjec nga Delvina dhe Firdeus Berberi, 22 vjec nga Pogradeci. Haxhiu kërkohej në Shqipëri për vrasje ndërsa Berberi për “plagosje të rëndë me dashje”. Barjami ndërkohë është kushëriri i parë i Marius Dhiamandit, teksa rezulton të jetë plagosur gjatë atentatit të 16 nëntorit 2021 ku u vra Dhiamandi.

Gjatë kontrollit të mjetit, Laert Haxhiut, i’u gjet dhe sekuestruar një kartë identiteti greke në emër gjeorgjian, të lëshuar nga Komisariati grek i Distomos, e cila rezulton kartë e revokuar.

Të tjera raste të kërkuarish shqiptarë të pajisur me karta greke

Shtetas shqiptar i kërkuar ndërkombëtar në Rusi dhe Francë për vrasje, pirateri detare, organizatë kriminale, pengmarrje.

Shtetas shqiptar që ka vuajtur dënim në Greqi por kërkohet në Evropë për trafik droge. Me precedentë për trafik droge dhe falsifikim.

Shtetas shqiptar me precedentë për trafik drogë, organizatë kriminale, bashkëpunim në lirim të burgosuri, arratisje, falsifikim, i dënuar me 25 vjet burg për goditje me “Kallashnikov” ndaj policisë.

Si dhe disa shtetas të tjerë te akuzuar kryesisht për çështje droge.

Përgjimi i shqiptarit: “Thuaji do të q* nënën”

Gjatë një përgjimi policor, kreu i grupit kriminal të falsifikatoreve merr një telefonatë nga një shtetas shqiptar i lindur në 1984, i cili ishte zotërues i identitetit … dhe mes të tjerash në bisede i thotë: “Thuaji, nëse më ka ndodhur dëm tek dokumentat e mia, do ti q… nënën thuaji, siç ta them”. /BW

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne