Çiljeta Xhilaga, e cila këndon, por kohët e fundit edhe shet panine te Sheshi Skënderbej, është paraqitur te kangjellat e gjykatës së posaçme, ku Erion Veliaj pret të marrë vesh nëse do të vijojë qëndrimin në qeli, për shkak se dyshohet nga SPAK për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash.
Xhilaga është një ndër figurat që e ka mbështetur Veliajn publikisht pasi ra në pranga, ndërkohë që janë dhjetëra artistë të tjerë dhe figura publike që janë rreshtuar në mbrojtje të tij. Një pjesë e tyre kanë marrë sponsorizimi të ndryshme nga Bashkia e Tiranës, ndaj duket se po i kthejnë nderin kryebashkiakut dhe nuk e kanë aspak problem ta vendosin fytyrën e tyre në kryerjen e këtij shërbimi.
Një tjetër personazh, por nga bota e sportit, Luiza Gega, është paraqitur para gjykatës, por ka shprehur edhe disa mendime të thella për drejtësinë, të cilën e quan të çuditshme.
“Këto supozime më duken të çuditshme si janë bërë. Unë mendoj që drejtësia do të vazhdojë punën e saj, i besoj drejtësisë, por nuk më pëlqen mënyra se si qasen gjërat”,- tha Gega.
Në dyert e drejtësisë janë paraqitur dhjetëra vetë, punonjës të Bashkisë dhe ndërmarrjeve në varësi, militantë dhe dashamirës të Veliajt.
Habi të madhe shkaktoi edhe prezenca e Helena Kadaresë, bashkëshortes së shkrimtarit të ndjerë, Ismail Kadare. Ajo u paraqit te dera e SPAK-ut dhe kërkoi të marrë pjesë në seancën e Veliajt, por sigurisht nuk u la të hynte brenda. Megjithatë, parakalimi i gjatë para kamerave, mjaftonte për t’u kthyer në lajm.
Kjo është hera e parë që artistë dhe figura publike, “zhgërryhen” në dyert e drejtësisë për të mbrojtur një zyrtar të dyshuar për korrupsion. /TPZ