Artistët e krishterë palestinezë përshtatin lindjen e Jezuit në kushtet e Palestinës së sotme

Artistët palestinezë të krishterë të teatrit, në kuadër të aktiviteteve të Krishtlindjeve, përgatitën një shfaqje që përshkruan lindjen e Jezuit në Palestinën e sotme Edhe pse në ditët e Krishtlindjes qytetet në mbarë botën Krishtere po stolisen dhe shkëlqejnë, të krishterët në Palestinë, ku është lindur Jesuit, po hyjnë në Krishtlindje nën hijen e masakrave të Izraelit që vazhdon t’i kryejë në Gaza këtë vit.

Kishat në Palestinë kanë kufizuar kremtimet e Krishtlindjeve me lutje për shkak të masakrave të Izraelit në Palestinë, ndërsa qëndrojnë larg nga kremtime të bujshme.

“Lind një shpresë nga rrënojat e dhimbjeve”

Aktorët e Qendrës Kulturore Es-Sebil, të krishterëve palestinezë, në Teatrin “Notre Dame” në Kudsin Lindor të pushtuar, paraqitën në skenë shfaqjen teatrale “Emmanuel”, e cila portretizon lindjen e Jezuit në kushtet e sotme në Palestinë.

Shfaqja me temë “Lind një shpresë nga rrënojat e dhimbjeve”, rrëfen lindjen e Jezuit në Palestinën e sotme, të ekspozuar ndaj pushtimit dhe shkatërrimit.

Regjisori Imad Atallah në deklaratën për Anadolu tha se shfaqja tregon për lindjen e Jezuit dhe kushtet në të cilat jetojnë palestinezët sot.

“Shfaqja tregon lindjen e Jezuit në kushtet në të cilat jetojmë sot. Ne e dimë se Jezu Krishti lindi në një shpellë. Ne e përshkruam këtë shpellë në atmosferën e sotme”, u shpreh ai, duke shtuar:

“Mesazhi ynë për mbarë botën së bashku me dashuri dhe paqe është ky: Çfarë do që të ndodhë me ne, ne do të qëndrojmë në tokën tonë. Ne jemi fëmijët e këtij atdheu”.

Përveç udhëheqësve të kishës së krishterë në Kudsin Lindor, dashamirës të teatrit, veçanërisht të krishterët palestinezë, erdhën për të shikuar shfaqjen.

Mes tyre ishte edhe Atallah Hanna, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Greke Sebastia, i cili duke uruar Krishtlindjet, bëri thirrje për të vepruar që t’i jepet fund sulmeve në Gaza.

“I kërkojmë të gjithë botës dhe të gjithë njerëzve të lirë të botës që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe efektive për të ndalur këtë luftë”, tha ai, duke vazhduar:

“Këtë vit ne po përjetojmë Krishtlindjet në këtë atmosferë të dhimbshme dhe të trishtuar. I lutemi Zotit për njerëzit tanë në Gaza që janë të ekspozuar ndaj këtyre sulmeve. I lutemi Zotit që të ndriçojë zemrat, mendjet dhe ndërgjegjet e kësaj bote që të veprohet shpejt për të ndalur këtë luftë të përgjakshme dhe agresive, për të cilën njerëzit e pafajshëm në Gaza e paguajnë çmimin”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne