Asnjë i arrestuar për 13 milionë euro pasuri sekuestruar nga policia

Nga Gerard Gega

Policia njoftoi sot sekuestrimin e rreth 13 milionë eurove pasuri të bëra përmes aktivitetit kriminal, por nuk saktësoi nëse kishte mundur të arrestonte pronarët e tyre.

Në dy aksione të ndryshme të koduara “Dentisti” dhe “Furtuna” policia tha se kishte sekuestruar pasuri me vlerë 750 mijë euro në Durrës dhe rreth 12 milionë euro në Fier, Tiranë e Korçë.

Pasurinë prej rreth 750 mijë eurosh policia e lidhi me italianin Ferdinando Muollo (56 vjeç), i dënuar me 8 vite burg si pjesëtar i klaneve mafioze të Camorras në Napoli.

Muollo ishte pronar i një kompanie importi medikamentesh dhe pajisjesh dentare, të hapur në Tiranë që prej vitit 2012. Ai zotëronte 5 apartamente, 13 garazhe, 1 makinë dhe rreth 10 mijë euro llogari bankare në Durrës.

Sipas policisë italiani kishte leje qëndrimi në Shqipëri, megjithatë në njoftimin e shpërndarë për media nuk saktësohej nëse Muollo ishte arrestuar apo jo.

E njëjta gjë u vu re edhe në rastin e aksionit “Furtuna” në Fier. Policia tha se kishte sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro që i përkiste Arjan Shanajt dhe familjarëve të tij.

Pronat ishin 1 hotel, 2 vila, 3 apartamente, 4 garazhe, rreth 9 mijë metra katrorë tokë, 20 mijë euro llogari bankare dhe 3 kompani ndërtimi dhe tregtimi gazi, të cilat ushtronin aktivitet në Fier, Durrës, Tiranë dhe Korçë.

Në njoftimin e policisë nuk thuhet nëse Shanaj u arrestua, por kuptohet se ai i ka shpëtuar disa herë autoriteteve, si për shembull në vitin 2014 kur u arrestua “për armëmbajtje pa leje”, apo në vitin 2016 kur “u shpall në kërkim për kanosje” në Ishull Lezhë.

Shanaj, në njoftimin e policisë thuhet se, në vitin 2017 ishte kapur nga policia greke me 20 kilogramë kokainë dhe se prej vitesh ishte nën vëzhgim për trafikim nga Turqia në Shqipëri./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne