Asnjë mish për palestinezët këtë Kurban Bajram në Gaza, paralajmëron një fermer

Uria e shkaktuar nga rrethimi izraelit e bën të pamundur therjen e kurbaneve

Përgatitjet për festën e Kurban Bajramit janë të hidhura në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vazhduar sulmet që nga 7 tetori 2023 dhe ka vendosur një bllokadë të rreptë që nga 2 marsi 2025.

Ndërsa palestinezët po përgatiten të shënojnë Bajramin e dytë nën hijen e luftës, Gaza po përjeton një krizë të rëndë urie dhe mungese ushqimi, pasi uria po përdoret si armë lufte nga Izraeli.

Abu Hatim Al-Zarqa, një fermer palestinez që kujdeset për disa pak bagëti në kushte të jashtëzakonshme, deklaroi se që nga tetori i kaluar nuk kanë hyrë kafshë të gjalla në Gaza dhe nuk mund të gjejë as ushqim për bagëtinë.

“As numri i kurbaneve nuk mjafton për njerëzit, dhe as nuk mund të përballohen për shkak të çmimeve të larta,” tha ai.

Nga ana tjetër, palestinezët e zhvendosur shprehen se nuk mund të ndiejnë asnjë gëzim të festës, pasi prej muajsh po përballen me uri ekstreme. Si pasojë e bllokadës dhe mungesës së ndihmave, çmimet e mishit dhe perimeve kanë arritur nivele të papërballueshme, duke i lënë shumë familje pa mish për muaj të tërë.
“Nuk kemi ngrënë mish prej muajsh,” tha një banor, “kemi humbur jo vetëm shtëpitë, por edhe mundësinë për të jetuar me dinjitet.”

Ky Bajram pritet të jetë ndër më të zymtit që populli i Gazës ka përjetuar ndonjëherë. /mesazhi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne