Avokati i Popullit ngre shqetësimin: Ndërhyrja e SPAK ndaj gazetarit Qyno, jo proporcionale

Në ditën e Lirisë së Shtypit, Avokati i Popullit thekson se e drejta e shprehjes mbetet themel i një shoqërie demokratike. Me anë të një reagimi, Avokati i Popullit, nënvizon rëndësinë e mbrojtjes së kësaj lirie thelbësore, në një moment kur gazetarët përballen me sfida për të mbrojtur dhe ruajtur këtë vlerë të çmuar, me qëllim informimin e publikut.

Po ashtu u përmend dhe rasti i gazetarit Elton Qyno, ku sipas Avokatit të Popullit thuhet se; “ndërhyrja në sferën e të drejtave të Nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nuk ka qenë proporcionale dhe as e domosdoshme”.

“Për sa më sipër, në vëmendje të respektimit të lirisë së shtypit dhe parandalimin e shkeljes së të drejtave në ushtrimin e profesionit të gazetarit por edhe më gjerë, Avokati i Popullit, do të hedhë për diskutim fillimin e javës së ardhshme një Raport Përgjithësues.

Ky Raport Përgjithësues i Avokatit të Popullit, një mjet institucional mjaft i rëndësishëm, bazohet mbi trajtimin e ankesës së gazetarit Elton Qyno, për të cilin është vlerësuar se ndërhyrja në sferën e të drejtave të Nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nuk ka qenë proporcionale dhe as e domosdoshme. Në referim të këtij raporti, Avokati i Popullit thekson se çdo veprimtari shtetërore, duhet të ushtrohet duke pasur në qendër të drejtat e njeriut.

Mbajtja në konsideratë e gjetjeve të këtij raporti, në ushtrimin e aktivitetit institucional dhe veprimeve procedurale, do të ishte tregues i vullnetit për të zbatuar standarde të larta të drejtësisë dhe lirisë së shprehjes në vend. Le të bashkëpunojmë për të mbrojtur dhe për të avancuar këto vlera thelbësore për të gjithë qytetarët dhe për të garantuar që gazetarët të kenë mundësinë dhe sigurinë për të ushtruar detyrën e tyre me integritet dhe liri”, apelon Avokati i Popullit./tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne