Azerbajxhani reagon ndaj deklaratave pro Armenisë të presidentit francez

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Azerbajxhanit, Aykhan Hajizada, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të cilat mbështesin Armeninë dhe akuzojnë vendin e tij.

Në një deklaratë me shkrim, Hajizada njoftoi se Macron në një intervistë në një kanal televiziv francez ka shtrembëruar situatën në rajon dhe ka paraqitur “standard të dyfishtë dhe inati”.

Hajizada theksoi se Franca e tregon veten e saj si mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtar, duke shtuar se, “Është e rrezikshme dhe e papranueshme që Franca po përpiqet të mbështesë separatizmin armen në rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit dhe të zbatojë politikën e saj koloniale të bazuar në konkurrencën gjeopolitike dhe orientalizëm në rajonit të Kaukazit Jugor, duke vënë në pah faktorin e krishterimit në çështjen Azerbajxhan-Armeni dhe duke iu afruar konfliktit me faktorin fetar”.

“Në operacionin anti-terrorist u respektuan të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare”

Hajizada theksoi se operacioni i zhvilluar me qëllimin për çlirimin e territoreve që ndodheshin nën pushtimin e Armenisë prej 30 vitesh dhe për të rivendosur integritetin dhe sovranitetin territorial të vendit është e drejtë ligjore e Azerbajxhanit e përcaktuar me ligjin ndërkombëtar.

“Në operacionin anti-terrorist të kryer më 19-20 shtator kundër forcave të armatosura armene në territoret e Azerbajxhanit u respektuan të gjitha rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe kjo situatë u konfirmua edhe nga organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Komitetin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar”, tha ai.

Ai po ashtu tha se edhe pretendimet e kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, se “Azerbajxhani vendosi në objektiv popullatën civile” nuk pasqyrojnë asnjë të vërtetë. Ai shtoi se në këtë aspekt nuk ka asnjë bazë të mendimeve që pretendohen kundër aktiviteteve të Azerbajxhanit.

“Është e papranueshme që Franca, e cila në aspektin e politikës së saj koloniale nuk i kushton asnjë rëndësi të drejtave të njeriut, të përpiqet t’i japë mësim Azerbajxhanit në territoret e të cilit jetojnë në mirëqenie shumë popuj dhe pakica etnike. Mbrojtja e të drejtave të armenëve tani nga Franca, e cila nuk ka bërë ndonjë koment për çështjen e të drejtave të azerbajxhanasve të cilëve iu shkelen të drejtat, janë dëbuar nga tokat e tyre dhe janë përballur me masakra masive prej 30 vitesh, tregon se Franca nuk ka qëllim të mirë”, tha Hajizada.

Krahas largimit dhe çarmatosjes së forcave të armatosura armene nga territoret azerbajxhanase, Azerbajxhani ofron ndihmë për popullatën armene dhe punon për integrimin e tyre në shoqërinë e Azerbajxhanit.

“Deklarojmë edhe një herë se përpjekjet e Francës që nuk i shërbejnë paqes dhe përpjekjet e saj që krijojnë kaos në rajon, nuk do të japin rezultate”, tha Hajizada./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne