Banka gjermane ngrin llogarinë e shoqatës hebreje antisioniste

Një bankë në Gjermani ngriu të mërkurën llogarinë e shoqatës hebraike antisioniste “Zëri Hebre për një Paqe të Drejtë në Lindjen e Mesme” dhe kërkoi një listë të anëtarëve të saj dhe adresat e tyre. Shoqata tha se Berliner Sparkasse bllokoi llogarinë e tyre pa njoftim paraprak për përditësim të informacionit të klientit. Banka tha në një letër drejtuar bordit të shoqatës se masa ishte “paraprake” dhe kërkoi dokumente të ndryshme, duke përfshirë një listë me emrat dhe adresat e anëtarëve të saj që do të duhet të dorëzohet deri më 5 prill.

Shoqata vuri në dyshim autoritetin e bankës për të ngrirë llogaritë pa shpjegime, duke theksuar kërkesën e pazakontë për listën. Ajo tha se një kërkesë e tillë i ngjan hetimeve të bëra nga agjencitë e inteligjencës ose policia që ushtrojnë presion politik mbi shoqatën hebreje. Llogaria e shoqatës u mbyll në vitin 2019 për shkak të presionit nga Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani, theksoi ajo. Organizata nënvizoi rritjen e persekutimit politik mes pakësimit të mbështetjes globale për politikat e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Gaza.

Pavarësisht mungesës së mbështetjes së gjerë publike, Gjermania mbetet një “aleat i fortë i Izraelit”, duke bashkëpunuar në politikat e diskutueshme, tha shoqata. Në deklaratë theksohet se koha e bllokimit të llogarisë nga Berliner Sparkasse përkon me planet për një “Kongres Palestinez” në Berlin më 12-14 prill që synon të rrisë ndërgjegjësimin për shkeljet e vazhdueshme ushtarake izraelite në Gaza dhe rolin e Gjermanisë në konflikt. Metodat konvencionale si anulimet ose refuzimet e ngjarjeve nuk do të funksionojnë kundër organizatorëve të kongresit, thuhet tutje. Financat e kongresit, të krijuara nga shitja e biletave dhe donacionet, ishin arsyeja e hapjes së llogarisë, duke çuar në bllokimin e saj.

Pavarësisht humbjes së mundshme të llogarisë, organizata tha se mbetet “e pazmbrapsur”, duke shtuar se qëndrimi i tyre kundër gjenocidit buron nga vlerat hebraike dhe nuk mbështetet në burimet financiare. Anëtarësia vazhdon të rritet pavarësisht presionit, tha ajo. Organizata po ndërmerr veprime ligjore kundër bllokimit arbitrar dhe politikisht të motivuar të llogarisë, i cilësuar si “i papranueshëm në një demokraci”. Më parë, shoqata protestoi kundër sulmeve izraelite në Rripin e Gazës në një demonstratë të mbajtur në Berlin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne