Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës për vitin 2026. Sipas Bardhit, “Brukseli vulos çështjen “Balluku” si simbol të kapjes së shtetit, pabarazisë para ligjit dhe pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes”.
Bardhi nënvizon se raporti 2026 i Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës, i publikuar sot, “konfirmon zyrtarisht se Edi Rama e ktheu Kuvendin e Shqipërisë në mburojë personale për bashkëpunëtoren e tij, të akuzuar për 1.1 miliardë euro abuzime me tenderat”. “Raporti i Komisionit Evropian konfirmon njëkohësisht se opozita qëndroi aty ku duhej: në krah të ligjit dhe kundër korrupsionit”, thekson Bardhi.
Sipas tij, KE shprehet qartë se refuzimi i Kuvendit për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK-ut, cenon parimet e kontrollit dhe balancës, si edhe barazinë përpara ligjit.
“Raporti dokumenton gjithashtu se, paralelisht me refuzimin e kërkesës së SPAK-ut, mazhoranca, me firmën edhe të Edi Ramës, propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për të zgjeruar rrethin e zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra. Njësoj si opozita, edhe Komisioni Evropian arrin në përfundimin se këto ndryshime pengojnë hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ushqejnë pandëshkueshmërinë”, thekson Bardhi.
Ai shton se ky raport nuk është vetëm një aktakuzë ndaj mazhorancës, teksa shton se SPAK duhet t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Ai duhet lexuar edhe si një thirrje për Prokurorinë e Posaçme, e cila prej disa javësh po zbaton dy standarde për Belinda Ballukun. Edhe pse vetë SPAK ka bërë publike se pozita e saj penale është rënduar me dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, nuk po zbaton standardin që vetë deklaroi gjashtë muaj më parë, sipas të cilit, kur rëndohet pozita penale, rëndohet edhe masa e sigurimit. SPAK ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon sot Brukseli në çështjen Balluku: t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut”, shkruan Bardhi./bw


















