Basha e Berisha homazhe në varrezat e dëshmorëve/ Ditë reflektimi për t’u bashkuar në mbrojtje të lirisë

Kreu demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe përfaqësues të tjerë të PD-së, kanë bërë sot homazhe te Monumenti Nënë Shqipëri, me rastin e ditës së dëshmorëve të Atdheut.

Gjithashtu, Basha e Berisha kanë bërë homazhe edhe në vendin ku prehet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari.

Në Diën e Dëshmorëve, Basha gjithashtu ka bërë homazhe edhe në vendin ku prehen 22 intelektualët e pushkatuar në regjimin komunist, të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike.

“Sot është dita kur kombi shqiptar nderon të rënët, të rënët për lirinë kombëtare, kundër pushtuesve, për liri dhe demokraci. Është një ditë nderimi, respekti, mirënjohjeje e thellë kombëtare, patriotike dhe individuale ndaj qindra e mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që flijuan jetët e tyre në altarin e lirisë kombëtare.

Është po kështu një ditë reflektimi për t’u bashkuar të gjithë sërish për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë.

Përkulem me respekt përpara dëshmorëve të Luftës Antifashiste, duke filluar nga dëshmori i parë Mujo Ulqinaku. Kujtojmë me respekt ata që ranë fli për atdheun dhe u burgosën nga diktatura. Përulem me respekt para bijve të Kosovës, Preshevës që luftuan për lirinë. Është dita që gjithsecili të ndjeë peshën e sakrificës të tyre. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha kreu demokrat në një prononcim për mediat.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne