Basha në Devoll: Laku në fytin e fermerëve, t’i japim fund

Kryetari i PD-së Lulzim Basha është takuar sot me fermerët në Devoll, të cilëve iu ka kërkuar të mobilizohen për t’u dhënë fund qeverisjes që i ka shtrënguar lakun në fyt.

“Vit pas viti laku ka ardhur duke u ngushtuar në fytin e fermerëve shqiptarë. Dhe tani jemi përballë riskut që të prodhoni e të mos i shisni dot prodhimet ose t’i lini djerrë. Nga puna juaj varet buka e familjes tuaj dhe atyre që punojnë në bujqësi. Fermeri, fshati dhe bujqësia janë braktisur. Buxheti vit pas viti nuk ka ndryshuar për bujqësinë. As 1/3-ta e buxhetit që jep Kosova. Prodhimet e fqinjëve të subvencionuar konkurrojnë fermerët shqiptarë”, tha Basha.

Sipas tij, dy janë problemet: mungesa e fondeve, braktisja totale. “PD synon rikthimin e skemës së subvencioneve. Shteti duhet të ndihmojë jo vetëm me pika grumbullimi por edhe pika përpunimi. Prodhimi të mos çohet jashtë por të përpunohet këtu.
Në vend që milionat e eurove që ua japin për një copë rrugë, këto para të shkojnë për të mbështetur dhe subvencionuar fermerët dhe prodhimin e përpunimin. Që të ndodhë kjo, duhen larguar banditët nga qeverisja dhe politika”, u shpreh kreu i PD.

Ai kerkoi ndarjen dhe pastrimin e politikës nga krimi. “Shitja e votës është një e keqe e madhe. Kjo e keqe në pushtet është edhe për shkak të atyre që e shesin votën. Shëndetësia është në mjerim. Po arrijmë në nivele afrikane pasi edhe mjekët po e braktisin vendin. Vitin e ardhshëm janë parashikuar në buxhet 22 milion dollarë për inceneratorët e Arben Ahmetajt. 5 vjet që një grusht oligarkësh marrin miliona euro nga qeveria. 22 milion dollarë do mjaftonin të subvenciononin prodhimin e mollës për të gjithë Shqipërinë. 1/4 e buxhetit është dhënë për 20 veta me tendera e koncesione. Këta 20 persona e çojnë gjobën tek kryeministri dhe ministrat. Kjo shumë do shërbente për pensionet e pagat dhe për të pasur një buxhet për subvencionet”, tha Basha më tej.

Ai iu tha fermerëve se zgjidhja është në dorën e tyre. “Nëse e mbajmë këtë klikë në pushtet nuk ka asnjë rritje rroge, pensione apo subvencione. Nëse e ndalim do të sjellim zgjidhje. Kërkoj angazhimin dhe mobilizimin tuaj. Që t’i japim fund kësaj gjendjeje. Pa i çmontuar këta ekonomia nuk do çlirohet dhe paratë do të vidhen”, deklaroi kreu i PD.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne