“BE është e gatshme për mbështetjen e negociatave mbi çështjen e Qipros”

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, shprehu keqardhje të dielën për hapjen e vijës bregdetare të rajonit Maraş në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) dhe sipas tij për deklaratat që bien ndesh me parimet e OKB-së për zgjidhjen e problemit të Qipros.

“Nuk ka asnjë alternativë tjetër për zgjidhjen gjithëpërfshirëse të problemit të Qipros, përveç duke u bazuar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Borrell, duke iu referuar hapjes së një pjese të Maraş, që ishte e mbyllur për 46 vjet.

Borrell vuri në dukje se zhvillimet e fundit në qytetin e braktisur prej kohësh ndodhën në një kohë kur përpjekjet për krijimin e hapësirës për dialog janë duke u zhvilluar dhe negociatat mbi zgjidhjen e problemit të Qipros dhe bashkimin e ishullit duhet të fillojnë shpejt nën kujdesin e OKB-së.

BE është e gatshme të mbështesë negociatat dhe të luajë rol aktiv në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme, tha ai.

“BE është plotësisht e angazhuar për bashkim brenda kornizës së OKB-së dhe përgjatë vijave të parimeve themelore të BE-së, mbi bazën e një federate me zgjidhje gjithëpërfshirëse të problemit të Qipros dhe barazisë politike dy-zonale, dy-komunale”.

Borrell theksoi se nuk duhet të ketë asnjë veprim mbi statusin e Maraş që nuk është në përputhje me rezolutat përkatëse të OKB-së, duke theksuar se Turqia duhet të veprojë me përgjegjësinë e krijimit të një mjedisi për të ndihmuar negociatat dhe për të dhënë një kontribut konkret.

“Në këtë drejtim, ne shprehim keqardhje për veprimet e sotme të hapjes së zonës së mbyllur në Maraş dhe deklaratat që bien në kundërshtim me parimet e OKB-së për zgjidhjen e problemit të Qipros. Këto do të shkaktojnë më shumë pasiguri, më shumë tensione në rajon dhe duhet të tërhiqet urgjentisht”.

Qyteti i braktisur Maraş në Gazimağusa, i njohur gjithashtu si Famagusta, u rihap pjesërisht për përdorim publik më 8 tetor.

Maraş kishte mbetur një qytet fantazmë në të cilin hyrja ishte e ndaluar, përveç personelit të ushtrisë turke të vendosur në TRNC.

Qipro është ndarë që nga viti 1974, pas një grusht shteti të grekëve qipriot, që u pasua nga dhuna kundër turqve të ishullit dhe që detyroi ndërhyrjen e Ankarasë si fuqi garantuese.

TRNC ka parë një proces paqësor viteve të fundit, duke përfshirë iniciativën e dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne