Zëri i Amerikës: Situata e koronavirusit në Shqipëri dramatike, ja skenarët që priten

Përhapja e pandemisë COVID 19 vijon në trajektoren rritëse, e cila u theksua veçanërisht në dy javët e para të muajit nëntor.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu foli dje për një situatë delikate e kritike, por “e kontrolluar, pra vlerësohet se rritja e qëndrueshme e rasteve karakterizon javën që po mbyllim, por është një situatë kritike, sepse krahasuar me një muaj më parë kemi një dyfishim të rasteve ditore”.

Edhe shifrat e 24 orëve të fundit rregjistruan një rekord të ri sa i përket rasteve me 597 të prekur. I lartë dhe numri i viktimave, 11 vdekje të moshave nga 55 në 82 vjeç.

Në të gjithë vendin autoritetet numërojnë 263 vatra infeksioni, 76 përqind e të cilave janë vatra familjare.

Sipas ministres, situata në Shqipëri paraqitet nën mesataren e rajonit.

“Shqipëria qëndron me një incidencë dy javore, me 901 raste për 100 mijë banorë.

Krahasuar me mesataren e rajonit, 1454 të prekur për 100 mijë banorë. Sa i takon fataliteteve, për 1 milion banorë, vendi ynë qëndron në 20.6 humbje jete, kundrejt 31.6 mesatarja e rajonit dhe 48.8 mesatarja e BE-së”, deklaroi ministrja.

Përkundrejt akuzave për numrin e ulët të testimeve, zonja Manastirliu tha se ato kanë ardhur duke u rritur ndjeshëm në varësi të situatës epidemike:

“Nga qershori, kur ne kishim fare pak të prekur krahasuar me sot, dhe ku totali i testimeve ishte 8883 testime, tetori është mbyllur 39.051 testime dhe vetëm në 13 ditët e para të nëntorit janë 24.048 testime të kryera në sistemin publik dhe 11.380 testime të kryera në sistemet jo publike”.

Rritja e ndjeshme e rasteve të reja është shoqëruar dhe me shtimin e pacientëve që kërkojnë një trajtim në strukturat spitalore.

Megjithatë sipas ministres situata është larg së vlerësuari katastrofike, sikundër cilësohet nga opozita:

“Jemi gati dhe po përcaktojmë stafet për COVID 4. Gati jemi dhe me skenarët e spitaleve rajonale.

Në momentin që përfundojnë dhe kapacitetet e COVID 4, pavijonet e dedikuara të Vlorës, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës. Më pas në skenarin tjetër, skenarin B, ku përfshihen spitalet e Lezhës, Beratit dhe Fierit dhe në skenarin C, që përfshin spitalet e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës”.

Numri i shtrimeve në të vërtetë po shënon një trajektore vetëm në rritje.

Të dhënat e 24 orëve të fundit dëshmojnë së janë aktualisht 393 pacientë nga të cilët 11 në terapi intensive dhe 5 të tjerë në intubim./Zëri i Amerikës

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne