Belgjikë, mijëra persona protestojnë kundër projektligjit që kufizon protestat

Mijëra persona protestuan në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, kundër projektligjit të qeverisë federale i cili do të vendosë kufizim ndaj të drejtës për të protestuar.

Mijëra njerëz nga sindikatat dhe organizatat jofitimprurëse në të gjithë vendin protestuan kundër projektligjit të propozuar nga ministri federal i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, i cili synon të identifikojë njerëzit që marrin pjesë në protesta me qëllimin për të shkaktuar trazira dhe t‘i pengojë ata të marrin pjesë përsëri.

Turma u mblodh në bulevardin Botanik, kaloi nëpër rrugët e mbyllura për trafikun në qendër të qytetit dhe marshuan drejt ndërtesës ku ndodhet zyra e Quickenborne.

“Ky është një ligj i bërë për të penguar protestat. Para së gjithash, pavarësisht se protesta është një e drejtë, ajo paraqet rrezikun që të gjithë të trajtohen si kriminelë. Në Belgjikë e drejta për të protestuar ekziston prej shumë kohësh dhe ajo duhet të mbetet e tillë”, tha Josbert Ntwari, nga sindikatat CSC për Anadolu.

Edhe Katrien Allaert, nga Sindikata Liberale CGSLB tha gjithashtu se janë të shqetësuar se projektligji i cili po pret miratimin e parlamentit federal, do të shkaktojë edhe fajësimin e njerëzve që dalin në rrugë për të ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore.

“Në ligj ka shumë pak masa për të mbrojtur të drejtat e protestuesve paqësorë”, u shpreh Allaert.

Ndërsa Florence Kroff nga organizata jofitimprurëse me emër FIAN Belgium, deklaroi se: “Ky ligj mund të përdoret edhe për shumë situata të tjera. E drejta e protestimit në Belgjikë ndodhet nën kërcënim serioz”.

Trafiku në Bruksel përjetoi ndërprerje serioze për shkak se në protestë morën pjesë edhe kompanitë e transportit publik STIB, De Lijn dhe TEC.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne