Berisha dhe Meta zihen se si të përfitojnë kulla me oligarkët

Është mbajtur sot protesta e radhës kundër ndërtimit të kullës 64-katëshe në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.

Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën të thirrur nga “Lëvizja Bashkë”, kundër ndërtimit të kullës “Mali i Tiranës”, me investitor Nova Construction dhe që flitet se do kushtojë mbi 100 milionë dollarë.

Përveç lidhjeve të përfolura të ndërtuesit të kullës me familjen e Sali Berishës, një tjetër absurd është shuma e madhe e parave që do investohet, nga një firmë që nuk i disponon ato.

Teksa ka folur në protestën e sotme, kreu i lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri ka thënë se në Shqipëri funksionojnë ligje kolonizatore, ku oligarkët dhe të fortët kanë mundësinë t’i marrin kujtdo pronën, për të ndërtuar aty investime strategjike.

“Se sa respektohet prona private në Shqipëri, e di çdokush që do të mbyllë ballkonin apo të vendosë një tendë. Rri me ditë në bashki dhe nuk merr leje. Imagjinoni një tjetër që ka një shtëpi përdhese dhe do të ngrejë një kat të dytë. As nuk bëhet fjalë. Por po gjete një investitor që të ngrejë 20 kate, menjëherë. Pronë private kanë edhe në jug. Por ty të rrëmbehet prona nëse një investitor, një mafioz oligark që vjen nga Tirana do të bëjë një investim strategjik. Këto janë ligje që përdornin kolonizatorët.

Ata në këtë rast janë gangsterët dhe oligarkët. Kush ndërton në Shqipëri? Cila është elita ekonomike në Shqipëri? Qyteti për ta është një minierë ari që është mirë ta shfrytëzosh, por nuk jetohet. Shikoni ku jetojnë, nëpër fshatrat rreth e qark Tiranës. Por e duan Tiranën për ta shfrytëzuar”, deklaroi Qorri.

Ai tha se në aferën e ndërtimit të kullës 64-katëshe, janë përfshirë të gjitha partitë politike në vend.

“Shikoni si janë përfshirë të gjitha partitë politike në këtë kullë, Edi Rama i pari, si kryetar i KKT-së. Janë ata që kanë firmosur dhe do përfitojnë. Kjo do të ishte gjysma e së keqes, por është edhe gjysma tjetër që ne e quajmë opozitë. Janë ata për marrëdhëniet që kanë me pronarët e kësaj kulle. Nuk është vetëm Edi Rama, është Sali Berisha, është Ilir Meta. Janë ata që zihen se si të përfitojnë kulla me oligarkët”, deklaroi Arlind Qorri./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne