Mijëra njerëz kanë demonstruar në kryeqytetin gjerman Berlin kundër luftërave në Ukrainë dhe në Rripin e Gazës. Mijëra protestues, me thirrjen e grupeve kryesisht të majta, marshuan nga disa pjesë të qytetit dhe u tubuan rreth Monumentit të Fitores në qendër të kryeqytetit gjerman.
Nën sloganin “Luftë, kurrë më – Hiqni armët”, demonstrata protestoi gjithashtu për furnizimin e Gjermanisë me armë për Ukrainën dhe Izraelin. Në pankarta shkruhej “Ata që nuk shkojnë në luftë, duan luftë”, “Paqe”, “Jo luftës”, “Jepini një mundësi paqes”, “Diplomatë në vend të granatës”, “Bukë dhe trëndafila në vend të bombave dhe vdekjes”, “Armë gjermane, para gjermane, vrasje në të gjithë botën”, si dhe të tjera.
Sahra Wagenknecht, bashkë-kryetare e partisë populiste të sapoformuar të krahut të majtë ‘BSW’, kërkoi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.“Ne kemi nevojë për diplomaci dhe negociata për paqen”, tha ajo para turmës në përgjigje të kritikave nga ata që duan bisedime për t’i dhënë fund luftës.
Duke theksuar se ata që e filluan luftën janë fajtor”, ajo tha që “të mos ketë standarde të dyfishta”. “Nëse një politikan që ka nisur një luftë është fajtor, atëherë çfarë ndodh me politikanët amerikan që janë përgjegjës për shumë luftëra në vitet e fundit, ku kanë vuajtur miliona njerëz. A nuk janë ata fajtor?“, u shpreh ajo.
“Ata që heshtin për krimet e luftës të kryera në Rripin e Gazës, ata që heshtin për vdekjen e 40 mijë njerëzve, 20 mijë prej tyre fëmijë, nuk duhet të vijnë tek unë dhe të thonë se janë të moralshëm. Jo, kjo është hipokrizi. Edhe kjo luftë duhet të përfundojë”, theksoi Wagenknecht.
Ajo theksoi se njerëzit nuk duhet të heshtin ndaj provokimeve të pafundme të qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe tha se ato nuk rrisin sigurinë e Izraelit, përkundrazi, “ato rrezikojnë shumë njerëz në Izrael sepse mund të çojnë në një luftë barbare atje”. Sipas saj, duhet të ketë një zgjidhje me dy shtete që merr parasysh interesat e të gjitha palëve, përndryshe lufta nuk do të përfundojë. Ralf Stegner, një anëtar i Partisë Social Demokrate (SPD) të kancelarit Olaf Scholz, u tha demonstruesve për të drejtën e Ukrainës për të mbrojtur veten dhe përfitimet e sistemeve të mbrojtjes ajrore që i ofrohen Ukrainës. Ai u fishkëllya nga demonstruesit./AA