Bin Selman mbron kampet e internimit kundër muslimanëve, thotë se respekton dhe mbështet “përpjekjet” e Kinës për “de-radikalizimin” e muslimanëve ujgurë

Princi i kurorës Muhamed Bin Selman i konsideron kampet e internimit të ngritura nga Kina kundër muslimanëve ujgurë si “përpjekje” të Kinës për të “de-radikalizuar” muslimanët ujgurë.

Princi i kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman vulosi të premten një marrëveshje prej 10 miliardë dollarësh për një kompleks rafinerie me Kinën gjatë një takimi me presidentin kinez Xi Jinping i cili nga ana e tij kërkoi përpjekje të përbashkëta për të luftuar ekstremizmin dhe terrorizmin.

Delegacioni saudit që përfshinte edhe drejtues të lartë të kompanisë shtetërore të naftës Aramco, mbërriti të enjten në Kinë, në një turne vizitash në Azi që filloi me arritjen e marrëveshjes prej 20 miliardë dollarësh me Pakistanin dhe që synon të bëjë investime të mëtejshme edhe me Indinë në industrinë e naftës.

“Kina është një mik dhe partner i mirë me Arabinë Saudite”, tha presidenti Xi Jinping para gazetarëve në prezencë të princit të kurorës.

“Natyra e veçantë e marrëdhënieve tona bilaterale pasqyron përpjekjet që keni bërë,” shtoi Xi, i cili e ka rritur praninë e Kinës në Lindjen e Mesme, një objektiv kyç i politikës së jashtme kineze.

Princi i kurorës tha se marrëdhëniet e Arabisë Saudite me Kinën datojnë në një kohë shumë të gjatë në të kaluarën.

“Në qindra, madje edhe në mijëra vjet, ndërveprimet midis palëve kanë qenë miqësore. Gjatë një periudhe kaq të gjatë shkëmbimesh me Kinën, ne kurrë nuk kemi përjetuar ndonjë problem me Kinën,” tha ai.

Kina ka dashur që të hapet me kujdes në marrëdhëniet me Rijadin, pasi Pekini gjithashtu ka lidhje të ngushta edhe me armikun rajonal të Arabisë Saudite, Iranin.

Kina gjithashtu është treguar e kujdesshme edhe ndaj kritikave të vendeve myslimane mbi kampet e saj në rajonin mysliman perëndimor Xinjiang, të cilët qeveria thotë se i ka ngritur për qëllime de-radikalizimi por që grupet e të drejtave të njeriut i quajnë kampe internimi.

Xi i tha princit të kurorës se që të dy vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar për de-radikalizimin, dhe për të “parandaluar infiltrimin dhe përhapjen e të menduarit ekstremist”, njoftoi televizioni shtetëror kinez.

“Arabia Saudite respekton dhe mbështet të drejtën e Kinës për të ruajtur sigurinë e vendit dhe mbështet edhe hapat e ndërrmara kundë terrorizmit dhe de-radikalizimit,” i tha princi i kurorës presidentit kinez Xi, raportojnë të njejtat burime. Raportimet thanë se Bin Selman ishte i gatshëm që ti rriste bashkëpunimet edhe në këtë fushë.

Gjatë takimit të së premtes me princin e kurorës, zëvendëskryeministri kinez Han Zheng tha se të dy vendet duhet të rrisnin shkëmbimet mbi përvojat e tyre për de-radikalizimin, njoftoi agjencia zyrtare e Kinës Xinhua në një raportim të veçantë.

Në fushën e bashkëpunimit ekonomik, kompania Aramco ra dakord të formojnë një ndërmarrje të përbashkët me konglomeratin kinez të mbrojtjes Norinco për të zhvilluar një kompleks rafinerie në qytetin verilindor kinez Panjin, duke thënë se projekti do të kapte vlerën mbi 10 miliardë dollarë.

Pritet që partnerët të formojnë një kompani të quajtur Huajin Aramco Petrochemical Co si pjesë e një projekti që do të përfshinte një rafineri me 300,000 fuçi në ditë (bpd), tha Aramco.

Aramco do të kryejë furnizimin deri në 70 përqind me lëndë të parë të papërpunuar për kompleksin, i cili pritet të fillojë punën në vitin 2024.

Investimet mund të ndihmojnë Arabinë Saudite që të rimarrë pozicionin e saj si eksportuesi kryesor i naftës në Kinë, një pozicion që e mban Rusia që prej tre vitesh. Kompania saudite Aramco do ta rrisë pjesën e tregut duke nënshkruar marrëveshje furnizimi edhe me përpunuesit kinezë jo shtetërorë.

Aramco nënshkroi gjithashtu edhe një marrëveshje për të blerë 9 për qind të aksioneve të kompanisë së naftës Zhejiang Petrochemical, tha agjencia saudite shtetërore e lajmeve SPA.

Kina shikon në ekonominë e Arabisë Saudite një potencial të madh dhe kërkon me tepër bashkëpunim në teknologjinë e fundit, tha të enjten këshilltari shtetëror Wang Yi, diplomati kryesor i qeverisë kineze.

Megjithatë Kina nuk po kërkon të ndërhyjë në politikën e Lindjen së Mesme, shkruante në një editorial tabloidi “Global Times”.

“Kina nuk dëshiron që të jetë një lojtar gjeopolitik në Lindjen e Mesme. Ajo nuk ka armiq dhe mund të bashkëpunojë me të gjitha vendet e rajonit”, thuhet në artikullin që u publikua nga media zyrtare e Partisë Komuniste në pushtet.

“Influenca në rritje i Kinës në Lindjen e Mesme vjen nga një bashkëpunim i pastër miqësor. Një partneritet i tillë do të mirëpritet nga më shumë vende në Lindjen e Mesme”./yenisafak/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne