Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja është marrë ditën e sotme në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Janë zbuluar detaje nga dëshmia e Çyrbjes, e cila ka përfunduar vetëm pak momente më parë.
Në dëshminë e tij para SPAK, Çyrbja është pyetur lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij, përfshirë korrupsionin në zgjedhje, zbulimin e sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorëve të krimeve. Sipas hetimeve të prokurorisë, Çyrbja është akuzuar për ndikimin e mundshëm të botës së krimit në fushatën zgjedhore, duke i siguruar një vend të sigurt në listat e Partisë Socialiste për deputet.
Komunikimet në platformën e sigurt SKY ECC sugjerojnë se persona të lidhur me krimin kanë luajtur një rol në përzgjedhjen e Çyrbjes, për ta futur në listat e PS për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Çyrbja ka mohuar akuzat para prokurorëve dhe ka pretenduar se ka sqaruar çdo episod për të cilin prokuroria e akuzon. Sipas SPAK, ish-deputeti është futur në listën e sigurt të PS-së përmes ndikimeve të krimit të organizuar, dhe më pas ka favorizuar Altin Hajrin – një person i shumëkërkuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës – dhe anëtarë të grupit kriminal Farruku. Ky favorizim ka pasur për qëllim shmangien e ndjekjeve nga autoritetet dhe mbështetje për ata që ishin në kërkim./BW