Dje, Gjermania hodhi poshtë propozimin e komisionerit të Bashkimit Evropian për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme Josep Borrell për t’i dhënë fund dialogut politik me Izraelin duke përmendur si arsye shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut në Gaza. “Përfundimi i dialogut me Izraelin nuk u sjell dobi njerëzve që vuajnë në Rripin e Gazës, as pengjeve të Hamasit, as njerëzve në Izrael që janë të gatshëm për dialog”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin. Berlini tha se Këshilli i Asociimit BE-Izrael po krijonte një “kornizë të përshtatshme” për të diskutuar respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare me qeverinë izraelite.
“Ne jemi në favor të mbajtjes së hapur të kanaleve të komunikimit. Në çdo rast, kjo vlen edhe për Izraelin”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock reagoi gjithashtu ndaj propozimeve të mëparshme të Josep Borrell për të vendosur ministrat ekstremë izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian Borrell bëri thirrje për përfundimin e dialogut pas refuzimit të gjatë të Izraelit për të diskutuar situatën humanitare në Rripin e Gazës në Këshillin e Asociimit. Në një letër dërguar ministrave të jashtëm të BE-së të mërkurën, përpara takimit të tyre të hënën, Borrell ngriti “shqetësime serioze për shkeljet e mundshme të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza” dhe tha se “Izraeli deri më tani nuk i është përgjigjur mjaftueshëm këtyre shqetësimeve”. Pezullimi do të kërkonte miratimin e të 27 vendeve të BE-së, gjë që konsiderohet e pamundur për diplomatët./sot