Polonia ka filluar ndërtimin e një “Mburoja Lindore” prej 2.29 miliardë eurosh përgjatë kufijve të saj me Rusinë dhe Bjellorusinë për të mbrojtur krahun lindor të aleancës së NATO-s ndërsa tensionet vazhdojnë në Ukrainë. Ndërtimi i mburojës, më shumë se 640 kilometra i gjatë, do të përfshijë fortifikime antitank, bunkerë dhe pengesa të tjera të ndërtuara për të mbrojtur fizikisht kufirin dhe kontrollin e lëvizjes. Mbështetja e SHBA për mbrojtjen evropiane pritet të dobësohet pasi Donald Trump të marrë detyrën si president i SHBA në janar. Ju kujtojmë se ai ka thënë vazhdimisht se planifikon t’i japë fund pushtimit rus të Ukrainës që në ditën e parë të mandatit të tij dhe gjithashtu njoftoi një ulje të ndihmës për Kievin, raporton “Daily Mail”. Mbrojtja ajrore dhe teknologjitë moderne të vëzhgimit të mundësuara nga inteligjenca artificiale do të mbrojnë gjithashtu Poloninë nga kërcënimet e luftës moderne.
Mburoja duhet të përfshijë gjithashtu një komponent satelitor për të ofruar ‘një element tjetër sigurie’, tha kryeministri polak Donald Tusk . Ai shtoi se fortifikimet ishin projektuar për të mbrojtur vendin kundër armiqve të mundshëm dhe kërcënimi në rritje për Perëndimin konsiderohet të jetë enklava e militarizuar ruse e Kaliningradit. Ky është ndoshta investimi më i madh në sigurinë kombëtare në historinë e pasluftës së Polonisë. Është planifikuar një linjë mbrojtëse me shumë shtresa me një thellësi rreth 200 metra, e cila do të përbëhet nga gardhe, kanale dhe fusha të minuara. Një gardh i lartë kufitar me tela me gjemba dhe llogore antitank do të jetë pengesa e parë për çdo sulmues të mundshëm dhe pengesa të tjera si ‘dhëmbët e dragoit’, blloqe betoni do të vendosen gjatë rrugës./sot