Blinken: SHBA mbështet procesin e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në biseda të ndara telefonike me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan diskutoi për procesin e paqes mes dy vendeve. Në një deklaratë nga Departamenti i Shtetit thuhet se Blinken ka mirëpritur marrëveshjen e përdorimit të Deklaratës së Almatit të nënshkruar në vitin 1991 për shënimin e kufijve mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Blinken me Aliyev dhe Pashinyan trajtoi bisedimet e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë si dhe përcolli mbështetjen e SHBA-së për ndërtimin e paqes së “vazhdueshme dhe dinjitoze” mes qeverive të Bakusë dhe Jerevanit.

Bashkëpunimi energjetik me Azerbajxhanin

Blinken në bisedën e tij me Aliyev-in potencoi dëshirën e tij për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Azerbajxhanit. Ai shprehu dëshirën e SHBA-së për të bashkëpunuar me Azerbajxhanin në çështjen e objektivave për energjinë dhe klimën si dhe shprehu dëshirën për përfundimin me sukses të Konferencës së 29-të të Palëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29) që do të mbahet këtë vit në Azerbajxhan.

Gjatë bisedës telefonike me kryeministrin armen Pashinyan, Blinken përsëriti mbështetjen e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Armenisë. Azerbajxhani dhe Armenia arritën marrëveshje më 19 prill që procesi i shënimit të kufirit të zbatohet në bazë të Deklaratës së Almatit të nënshkruar në vitin 1991./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne