Bolivi – Morales pranon azilin politik në Meksikë: Do të kthehem me më shumë forcë dhe energji

Marcelo Ebrard, ministër i Punëve të Jashtme të Meksikës, e bëri publik këtë zhvillim përmes një komunikate me shkrim pas bisedës telefonike me ish-presidentin Morales.

“Njoftoj se Presidenti Morales, në bisedën telefonike që realizuam pak më parë, pranoi ftesën tonë dhe aplikoi zyrtarisht për t’u bërë i strehuar politik”, deklaroi Ebrard duke theksuar se vendi tij i ka cilësuar ngjarjet në Bolivi si “grusht shteti” që në çastet e para dhe se janë të gatshëm për t’i garantuar azil liderit bolivian.

Ai potencoi gjithashtu se kanë informuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bolivisë për këtë çështje duke kërkuar që të merren masa për garantimin e sigurisë së jetës së Moralesit në kuadër të së drejtave ndërkombëtare.

Në një tjetër dalje publike të tij, shefi i diplomacisë meksikane vuri në pah se thirrja për dorëheqje e ushtrisë boliviane drejtuar Moralesit shkel “rendin kushtetues” në këtë vend.

Ebrard e cilësoi dorëheqjen e imponuar të Moralesit si “një puç ushtarak” dhe shtoi: “Ato çfarë ndodhën dje në Bolivi janë një regres për të gjithë kontinentin. Ne jemi shumë të shqetësuar.”

Duke nënvizuar se Meksika e konsideron Evo Moralesin ende si lider legjitim të Bolivisë, Ebrard tha se Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) duhet të mblidhet urgjentisht për të diskutuar krizën boliviane në fjalë.

Ndërsa Moralesi falënderoi Meksikën për ofrimin e azilit politik nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter”.

“Motra dhe vëllezër, unë po largohem për në Meksikë, mirënjohës për asnjanësinë e qeverisë së këtij populli vëlla që na dha azil për t’u kujdesur për jetën tonë. Më dhemb të largohem nga vendi për arsye politike, por unë gjithmonë do të jem në pritje. Së shpejti do të kthehem me më shumë forcë dhe energji”, shkroi ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne