Në një paralajmërim të ashpër gjatë një mbledhjeje të ministrave të Jashtëm të G7-s, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell shprehu shqetësime të mëdha për tensionet në rritje midis Izraelit dhe Iranit, duke thënë se ato e kanë çuar botën në prag të luftës.
Duke folur për gazetarët, Borrell paralajmëroi se rrjedha aktuale e ngjarjeve mund të çojë në një konflikt të plotë rajonal me pasoja të gjera. “Unë nuk dua të ekzagjeroj, por jemi në prag të një lufte, një lufte rajonale në Lindjen e Mesme, e cila do të dërgojë valë tronditëse në pjesën tjetër të botës dhe në veçanti në Evropë. Prandaj ndalojeni”, tha ai.
Ai përsëriti angazhimin e BE-së për të vendosur sanksione shtesë ndaj Iranit në përgjigje të veprimeve të tij të fundit. Megjithatë, ai drejtoi një mesazh ndaj Izraelit, duke kërkuar përmbajtje dhe duke bërë paralajmërim kundër çdo veprimi që mund të përkeqësojë më tej situatën e paqëndrueshme.
Tensionet po rriten në Lindjen e Mesme pasi Irani të shtunën kreu një sulm ajror ndaj Izraelit si hakmarrje për sulm ajrorin të 1 prillit ndaj kompleksit të tij diplomatik në kryeqytetin sirian Damask. Sipas njoftimeve, Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa, pothuajse të gjitha të interceptuara nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit dhe aleatëve të tij – SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe. Irani pretendon se disa objektiva u goditën. Izraeli, nga ana tjetër, ka thënë se do t’i përgjigjet sulmit të Iranit, pavarësisht që shumë liderë botërorë kanë kërkuar që vendi të përmbahet./AA