Opinion

Boshnjakët dëbohen nga Kroacia pasi ‘refuzojnë që të spiunojnë muslimanët’

nga Mersiha Gadzo.

Qytetarët dhe politikanët thonë se shërbimi sekret kroat i etiketon boshnjakët që nuk bashkëpunojnë me të si kërcënim për sigurinë kombëtare.

 

Dhjetëra shtetas boshnjakë kanë pohuar se Kroacia ka revokuar lejet e tyre të punës, i ka dëbuar dhe i ka etiketuar si kërcënim të sigurisë kombëtare pasi ata kanë refuzuar që të punojnë si spiunë dhe të jepnin informacione për muslimanët në Bosnje.

Dëshmitë e tyre u botuan këtë muaj në Zurnal, një faqe e pavarur boshnjake në internet.

Sipas dokumenteve të siguruara nga agjencia e sigurimit të Bosnjës, Zurnal pohon se zyrtarët kroatë të inteligjencës po përpiqen të rekrutojnë bashkëpunëtorë boshnjakë, veçanërisht anëtarë të grupit musliman Selefi, për të futur armë dhe eksploziv në xhami.

Në një rast, pohohet se inteligjenca kroate i kishte kërkuar një selefiu boshnjak të njohur si HC që të dergonte një thes të mbushur me armë në një xhami në Bosnjën qendrore në prill 2018.

Para kësaj, një zyrtar kroat thuhet se e kishte urdhëruar që të krijonte një profil të rremë në Facebook ku të lavdëronte Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantin (ISIL ose ISIS) dhe ta përdorte për të spiunuar muslimanët në Bosnjë.

Për shkak se ai punonte në Slloveni dhe shpesh udhëtonte nëpër Kroaci, ishte bërë objekt shantazhi dhe rekrutimi, tha HC për Zurnal.

Dragan Mektic, ministri i sigurisë së Bosnjës, i tha medias lokale se operacioni i “flamujve të rremë” kishte për qëllim të provonte akuzat e bëra nga presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç se Bosnja dhe Hercegovina janë një “strehë terrorizmi”.

Ai tha se për dy vitet e fundit, agjencitë kroate janë përpjekur të nxisin qytetarët boshnjakë të lidhur me selefistët që të transportojnë armë nëpër xhami të Bosnjës, ku më vonë ti “zbulojnë”.

Siç raportohet nga mediat kroate, Grabar Kitaroviç tha në 2017 se në Bosnjë ka “aktualisht 5,000 salafistë, të cilët së bashku me mbështetësit e tyre përbëjnë 10,000 njerëz me retorikë dhe synime tepër radikale”.

Zyrtarët boshnjakë, duke përfshirë Mektikun, i mohuan akuzat në atë kohë, duke thënë se ato ishin “të motivuara politikisht”.

‘Një lloj i veçantë lufte kundër Bosnjës’

Drejtori i agjencisë kroate të sigurisë dhe i inteligjencës ka pranuar se kanë pasur “biseda” me selefistët nga Bosnja, por nuk u kanë kërkuar atyre që të kontrabandojnë armë.

Goran Kovaçeviç, profesor në fakultetin e kriminologjisë dhe studimeve të sigurisë në Universitetin e Sarajevës, tha se është e vërtetë që Kroacia “po udhëheq një lloj lufte të veçantë kundër Bosnjes”.

“Ne e kemi parë këtë me propagandën e tyre të drejtuar kundër Bosnjes nëpërmjet politikanëve kroatë, zyrtarëve të tjerë dhe medias”, tha Kovacevic për Al Jazeera.

Damir Becirevic, një ish-anëtar i komitetit të monitorimit për agjencinë e sigurimit të Bosnjës, i tha Al Jazeeras se rasti ilustron përpjekjen disa vjecare të Kroacisë për të diskredituar Bosnjen.

“Jashtë rajonit, Kroacia pretendon se është një mik i Bosnjës, por me lëvizjen konkrete, ajo përpiqet të bëjë gjithçka të mundur për të sjellë destabilizimin e Bosnjes,” tha ai.

Tre boshnjakë i thanë Al Jazeeras se inteligjenca kroate i kishte thirrur për ti marrë në pyetje gjatë dy viteve të fundit në një përpjekje për t’i rekrutuar si bashkëpunëtorë.

Në atë kohë ata punonin në Kroaci pasi vendi anëtar i BE-së shpesh ofron mundësi më të mira pune sesa Bosnja.

Sipas regjistrimit kroat të vitit 2011, numri i saktë i boshnjakëve që punojnë në Kroaci nuk dihet, por të regjistruar janë vetëm 6,733 njerëz që kanë shtetësi boshnjake.

Agjencia e sigurisë dhe inteligjencës kroate nuk iu përgjigj kërkesës së Al Jazeeras për komente.

‘Kërcënim për sigurinë kombëtare’

Semir Aganoviç, një marangoz 50 vjeçar nga Travniku i Bosnjës u ndalua që të hynte në Kroaci për tre vjet, pasi mori një njoftim deportimi më 16 nëntor dhe u quajt si një “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Ai i tha Al Jazeeras se Kroacia i kishte lëshuar më 22 tetor një leje pune të vlefshme për një vit. Por dy javë më vonë, inteligjenca kroate e thirri atë për ta marrë në pyetje për një orë.

“Ata më pyetën:” A shkon në xhami dhe a ka burra me mjekër aty ku jetoni? ”

Ai u përgjigj: “Po ka, dhe mund të shoh se edhe këtu në Kroaci ka plot burra me mjekër”.

Zyrtari e pyeti nëse njihte individë të caktuar dhe nëse kishte parë arabë të caktuar gjatë luftës në Bosnjë.

Përafërsisht 2.000 arabë u bashkuan me forcat e qeverisë boshnjake në mbrojtje të vendit gjatë konfliktit tre-vjeçar, i cili përfundoi në 1995.

Aganoviç nuk i kishte njohur individët e përshkruar prej zyrtarëve kroatë kur kishte shërbyer në ushtrinë boshnjake.

Pas marrjes në pyetje ai mori një njoftim për deportim, i cili u publikua më vonë në raportin e Zurnal.

“Unë nuk kam shkelur ndonjë ligj … Unë e di se asnjëherë nuk kam dëmtuar askënd. Nëse do të isha fajtor për ndonjë gjë, do të kisha shkuar në Kroaci,” tha Aganoviç.

I ndalohet që të hyjë në Kroaci për 10 vjet

Nermin Spahiç, 47 vjeç, punoi si marangoz në Kroaci për 17 vjet, por problemet e tij filluan kur ai mori një leje pune zyrtare.

Ai thotë se është thirrur për tu marrë në pyetje gjashtë deri në shtatë herë në vitin 2018, ku çdo seancë zgjaste rreth dy orë.

Një oficer e pyeti nëse njihte ndonjë vehabist gjatë periudhës së qershorit 1993, kohë kur frekuentonte xhaminë, si dhe i kërkoi mendimin e tij për ISIL-in.

“Unë nuk e maj mend se ku kam qenë vitin e kaluar në qershor, e lëre më të maj mend vitin 1993,” tha Spahiç për Al Jazeera.

“Unë nuk jam person që shkoj në xhami, por kur ai filloi këtë lloj bisede, i thashë se do të filloj të falem në xhami pesë herë në ditë.

“I thashë atij se mendoj që ISIL janë plehra”, tha Spahiç.

Një oficer tha se po dështonte bashkëpunimi.

Në fund të vitit 2018, ai mori një urdhër dëbimi ku thuhej se përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare. Atij ju ndalua që të hyjë në Kroaci për 10 vjet.

I ndalohet hyrja në BE për pesë vjet

Alen (emër i ndryshuar për të mbrojtur identitetin), babai i dy fëmijëve, ende po përpiqet të gjejë punë në Bosnjë pasi u deportua nga Kroacia në qershor të vitit të kaluar, vend ku kishte jetuar prej 14 vitesh.

Në vitin 2014, ai mori një leje qëndrimi të përhershme dhe një kontratë pune. Ai kishte punuar si saldator.

Në janar 2018, autoritetet kroate e thirrën për ta marrë në pyetje për dy orë.

Ai pohoi se u pyet për individë me emra muslimanë të cilët nuk i njihte.

Për shkak kishte shërbyer në ushtrinë boshnjake gjatë luftës, ata pyetën nëse njihte disa prej gjeneralëve të caktuar.

“Ata thjesht ju detyrojnë që të flisni për diçka që nuk e keni idenë,” tha Alen për Al Jazeera.

“Ata më kërkuan që të filloja të flisja dhe më thanë, ‘Nëse doni të qëndroni këtu dhe të vazhdoni të punoni, duhet që të filloni të bashkëpunoni me ne’.

“U thashë atyre, “Unë nuk jam i përfshirë në këtë dhe nuk e kam idenë për emrat që më keni përmendur. Unë nuk i ndjek këta njerëz dhe gjendem këtu për të punuar si më parë”.

Një muaj më vonë, Alen thotë se ata e thirrën përsëri dhe i njëjti skenar u luajt.

Ai mori një urdhër deportimi në qershor dhe u ndalua që të hyjë në BE për pesë vjet duke u quajtur “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

“Ata na paraqesin në BE sikur jemi anëtarë të ISIL-it, sikur ne jemi terroristë”, tha Alen.

‘Lufta hibride’

Analistët i thanë Al Jazeeras se synimi i Kroacisë është të destabilizojë Bosnjën me qëllim që të krijojë një entitet të tretë kroat në vend.

“Pse presidentja e shtetit Grabar Kitaroviç flet për një entitet të tretë në Bosnjë? Pse ajo doli me informacione të rreme se në Bosnjë gjenden 10,000 terroristë, ndërkohë që drejtori i agjencisë kroate të zbulimit gjatë një takimi në Sarajevë konfirmoi se nuk është e saktë? “, tha gazetari Avdo Avdiç, i cili përhapi lajmin rreth kësaj çështje.

“Ky është motivi i tyre: destabilizim politik për Bosnjën i cili ndodh vazhdimisht”.

Sipas Emir Suljagic, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës dhe ish-zëvendësministër i mbrojtjes, synimet e Kroacisë nuk kanë ndryshuar që nga lufta, ku Bosnja të ndahet zyrtarisht ose të krijohet një entitet kroat i cili do ti lejonte Kroacisë një rol në drejtimin e vendit.

“Politikat e Kroacisë kanë rrënjë në ideologjinë e presidentit të parë kroat Franjo Tuxhman, i cili rezulton të ketë qenë anëtar kryesor i një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale gjatë luftës në Bosnjë që synonte shkatërrimin e Bosnjes dhe Hercegovinës, siç është theksuar edhe nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë (ICTY),” tha Suljagic.

“Po aq i rëndësishëm është edhe besimi i thellë që ekziston brenda qarqeve të politikës dhe brenda Kishës, se boshnjakët muslimanë përfaqësojnë aziatikun dhe se janë pasardhës të pushtuesit osman dhe si të tillë barbarë që janë, ata kanë nevojë për ’emancipim’.

“Është koha që NATO dhe BE t’i kushtojnë vëmendje luftës hibride që një prej shteteve të saj anëtare po zhvillon në Bosnjë”./aljazeera/Gazeta Impakt

OPINIONE