Çavushollu: Putini nënshkroi dokumentin për lehtësimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) tha se një dokument për lehtësimin e vizave për pasaportat zyrtare dhe shoferët e maunave ndërmjet Turqisë dhe Rusisë u nënshkrua nga Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ministri Çavushollu së bashku me homologun rus, Sergey Lavrov, me të cilin u takua në qytezën Belek të rrethit Antalie (Antalya), dolën në një konferencë të përbashkët shtypi.

Çavushollu tha se zhvilluan mbledhjen e 7-të të Grupit të Përbashkët të Planifikimit Strategjik, që është nënnjësia e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Rusi dhe është shumë i lumtur që mirëpret në Antalie Lavrovin dhe delegacionin e tij shoqërues.

Ai bëri të ditur se me homologun Sergey Lavrov takohen në çdo rast dhe vlerësojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.

Shefi i diplomacisë turke nënvizoi se përpara mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Rusi, që do të zhvillohet në 8 prill me bashkëkryesimin e liderëve të të dyja vendeve, patën rastin të shqyrtojnë shumë kapituj dypalësh dhe shtoi: “Liderët dhe ministrat tanë përkatës do të shqyrtojnë shumë tema në mbledhjen e sipërpërmendur, nga energjia tek kultura e turizmi. Kurse ne në mbledhjen e sotme bëmë punimet përgatitore.

Ai tha se janë shumë të kënaqur që shohin rritje në numrin e turistëve që vijnë nga Rusia në Turqi dhe bëri të ditur se në mbledhjen e grupit të përbashkët biseduan për çështjet e vizave.

“Jemi duke punuar së bashku me Sergey Lavrov në kuadër të vullnetit të liderëve tanë për të zgjidhur problemin e vizave. Filluam nga një pikë. Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin nënshkroi një dokument për lehtësimin e vizave për pasaportat zyrtare dhe shoferët e maunave. Vazhdojmë punimet për zbatimin e kësaj. Pritshmëria jonë është heqja tërësisht e vizave për nënshtetasit tanë” tha Çavushollu.

Ai tha se me Rusinë nuk është përforcuar vetëm bashkëpunimi në marrëdhëniet dypalëshe por edhe në çështjet rajonale.

Edhe ministri rus, Sergey Lavrov u shpreh se në takim, krahas çështjeve të kulturës dhe turizmit, u shqyrtuan edhe çështjet e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe të mbrojtjes dhe çështja e Sirisë.

Në fjalimin e tij, Lavrov vlerësoi dhe vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Lartësitë e Golanit.

“Kjo bie ndesh me drejtësinë ndërkombëtare. Është injoruar dhe shkelur çdo ligj ndërkombëtar” tha Lavrov.

Ndërkaq Lavrov e falënderoi Çavushollunë për mirëpritjen që tregoi për delegacionin rus./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne