Protesta kundër restaurimit të minares së xhamisë së Ali Pashës në Ohër

Restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës, një monument historik nga shekulli XVI, që ndodhet në qytetin e Ohrit ka nxitur sërish reagimet e maqedonasve në këtë qytet.

Xhamia, e cila gjendet në hyrje të çarshisë së Ohrit, sipas Myftinisë së Ohrit, do të duhet të marrë pamjen dhe shkëlqimin e dikurshëm, njëlloj siç ka qenë kur është ndërtuar pesë shekuj më parë. Faza e parë parasheh ndërtimin e minares dhe tremes në gjendjen origjinale.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=Spf1Ky52B7A]

 

Organizata qytetare “Sovest”, që funksionon në këtë qytet, reagon ndaj rikonstruimit të Xhamisë “Ali Pasha”, duke vlerësuar se e njëjta nuk e ka dokumentacionin e duhur për rikonstruim. Por në fakt  për ta problem paraqet  ndërtimi i minares 33 metra.

Nuk kemi asgjë kundër konservimit të xhamisë si objekt i rëndësisë historike të mbrojtur me ligj, por kundërshtojmë ndryshimin e dukjes së objektit, rrethit të saj, por edhe planit për ndërtimin e minares 33 metra në qendrën e Ohrit”,- thonë nga shoqata “Sovest”.

Nga ana tjetër, nga  Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, thonë se Xhamia në Ohër i plotëson të gjitha kushtet në aspektin administrativ, juridik dhe atë të dokumentacionit. Sipas tyre pengesë për organizatën qytetare paraqet minarja 33-metërshe. Në bazë të dokumentacioneve, minarja origjinale ka qenë aq dhe do të kthehet ashtu sikur ka qenë, thonë ata.

Tendencioze dhe të pakuptimta protestat kundër rindërtimit të minares

Historiani i artit Behixhudin Shehapi në një interviste për TVM2 ka thënë se ky monument si margaritar i trashëgimisë kulturore islame e fisnikëron çarshinë e këtij qyteti dhe është e drejtë e pakontesuteshme e BFI-së që t`ia kthen pamjen autentike kësaj xhamie. Sipas tij protestat që po organizohen kundër restaurimit të minares së xhamisë janë tendencioze.

“As Ohri si qytet e as trashëgimia kulturore nga periudha islame, por edhe në përgjithësi Ohri si qytet i kulturës nuk e meriton të prostestohet kundër kësaj trashëgimie. Kjo, sepse jam thellë i bindur se këtë pamje dhe këtë bukuri që e posedon Ohri është falë pikërisht asaj periudhe osmane. Kultura islame në Ohër si filozofi e asaj periudhe ka sjellë edhe konceptin e çarshisë. Në një çarshi, flas në aspektin etimologjik, sepse çarshia është një emër oriental dhe krejt struktura e objekteve në çarshi ka të bëjë me orientin, dhe një çarshi që nuk ka xhami dhe ku nuk ekziston aspekti vertikal i çarshisë- minarja- nuk mund të quhet çarshi. E gjithë kjo, mua si njohës i mirë i periudhës osmane, më detyron të mendoj se është një padrejtësi dhe janë tendencioze protestat dhe mospajtimet me rindërtimin e kësaj minareje. Ne duhet të jemi falënderues ndaj donatorëve nga Republika e Turqisë, që kontribuojnë edhe në aspektin profesional, teknik dhe financiar. Gjithsesi se me këtë rindërtim kthehet pamja autentike e çarshisë, prandaj është mjaft absurde dhe mjaft ironike e gjithë ajo rrëmujë e protestave kundër rindërtimit të minares”, deklaron Behixhudin Shehapi.

Myftinia e Ohrit, në bashkëpunim me muzeun në Ohër dhe drejtorinë e përgjithshme të vakëfeve të qeverisë së Turqisë bëjnë restaurimin e xhamisë së Ali Pashës

Restaurimi i xhamisë në Ohër financohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë.

Ndryshe, Xhamia e “Ali Pashës” është ndërtuar në vitin 1573 nga Sulejman Pasha. Në këtë kohë ajo gjithashtu shërbeu si një shkollë e mesme fetare.

Më vonë në vitin 1823 xhamia është rinovuar nga veziri Ali Pasha, prandaj edhe e ka marrë emrin e tij./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne