“Bota myslimane përballet me një kërcënim në rritje të islamofobisë dhe diskriminimit”

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu tha se bota myslimane përballet me një kërcënim në rritje të islamofobisë dhe diskriminimit.

Çavusoglu foli në një konferencë të përbashkët shtypi me ministren e Jashtme të Indonezisë Retno Marsudi, ku ndodhet për një vizitë pune.

Duke rikujtuar se këtë vit është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Turqisë dhe Indonezisë, Çavusoglu tha se Këshilli i Bashkëpunimit Strategjik i Nivelit të Lartë midis dy vendeve do të mbahet me vizitën e Presidentit Recep Tayyip Erdogan në Indonezi, e planifikuar për vitin e ardhshëm.

“Duke bashkëpunuar me Indonezinë, ne duhet të mbështesim umetin dhe t’i luftojmë këto çështje. Ne gjithashtu duhet të qëndrojmë së bashku kundër përpjekjeve për të dëmtuar vlerat tona si dy vende myslimane. Jam gjithashtu i lumtur të shoh që Indonezia dhe Turqia kanë pikëpamje të ngjashme mbi këtë çështje. Si dy vende të rëndësishme myslimane, ne duhet të mbrojmë qëllimet dhe interesat e përbashkëta të vendeve tona dhe umetit së bashku”, bëri të ditur shefi i diplomacisë turke.

Çavusoglu dhe Marsudi gjithashtu nënshkruan një memorandum mirëkuptimi mbi bashkëpunimin diplomatik, shkëmbimin dhe trajnimin e diplomatëve.

Ministrja e Jashtme indoneziane Retno Marsudi gjithashtu bëri të ditur se me ministrin Çavusoglu kanë diskutuar për çështjet rajonale dhe globale, ndërsa shtoi se kanë biseduar edhe për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër pandemisë së COVID-19.

Duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesmejanë thelbësore për rimëkëmbjen globale në periudhën post-pandemike, Marsudi tha: “Indonezia dhe Turqia ranë dakord për partneritet në forcimin e Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) mbi sfidat në botën islamike dhe zgjidhjen e mirëqenies së myslimanëve”.

Retno Marsudi gjithashtu tha që çështja palestineze duhet të zgjidhet në përputhje me elementët e pranuar ndërkombëtarisht, duke përfshirë rezolutat e ndryshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) dhe zgjidhjen me dy shtete, ndërsa shtoi se ata gjithmonë kanë përsëritur angazhimin e tyre për të mbështetur Palestinën./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne