Vendimi i ri unifikues i Gjykata e Lartë, që e konsideron paraburgimin si masë përjashtimore dhe jo automatike, mund t’i japë Erion Veliaj një shans real për të kërkuar lirimin dhe rikthimin në Bashkinë e Tiranës.
A mund të përfitojë Erion Veliaj nga ndryshimet e fundit që përgatiti Gjykata e Lartë për masat e paraburgimit? Kjo është pyetja që po qarkullon prej ditësh në radhët e socialistëve, në pritje të një vendimi që mund të trondisë edhe një herë Bashkinë e Tiranës, por mund të trazojë edhe ekuilibrat e Partisë Socialiste në kryeqytet.
Nën zë përflitet se Veliaj ka tashmë një mundësi reale për t’u rikthyer në bashki; një rikthim nga ferri, një rishfaqje nga bota e politikanëve të vdekur, që shpesh po identifikohen me qelitë e paraburgimit, aty ku zakonisht karrierat publike nuk ringjallen më.
Në një vendim të mëparshëm, përpjekjet e Veliajt për të fituar lirinë në Gjykatën e Lartë rezultuan të pasuksesshme. Por këtë herë konteksti juridik ka ndryshuar.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë miratuan disa javë më parë një vendim unifikues që ndryshon rrënjësisht mënyrën se si gjykatat duhet të arsyetojnë masën “arrest me burg”. Vendimi i dha fund praktikës së deritanishme, ku paraburgimi konsiderohej një normalitet për çështjet e rënda penale.
Tashmë, sipas interpretimit të ri, masa “arrest me burg” duhet të jetë përjashtim dhe jo rregull. Prokuroria dhe gjykata duhet të provojnë konkretisht pse një person nuk mund të hetohet apo gjykohet me një masë më të butë sigurie. Nuk mjafton më pesha e akuzës apo rëndësia publike e çështjes.
Vendimi i ri kërkon që gjykata të japë një arsyetim të individualizuar për çdo rast: të analizojë mënyrën e kryerjes së veprës penale, rrezikun real të largimit, mundësinë e ndikimit mbi hetimin, si edhe elementë që lidhen me vetë personin, si sjellja, personaliteti, rrethanat familjare apo sociale.
Kjo është arsyeja pse janë ringjallur shpresat e Erion Veliajt, që e ka përdorur këtë ndryshim për të kërkuar rivlerësim të masës së sigurisë në Gjykatën e Lartë
Në praktikë, Gjykata e Lartë ka zhbërë një interpretim të vitit 2011, sipas të cilit mjaftonte që gjykata të argumentonte se paraburgimi ishte “i përshtatshëm” për rastin konkret, pa qenë e detyruar të analizonte seriozisht alternativa të tjera sigurie.
Pikërisht mbi atë filozofi ishte mbështetur edhe arsyetimi i gjyqtarit Engert Pëllumbi në mars të vitit 2025, kur ai vendosi të linte në burg Erion Veliajn. Lapsi.al e ka lexuar edhe një herë vendimin e Engert Pëllumbit. Interpretimi unifikues i vitit 2011 (që tashmë konsiderohet i rrëzuar) përmendet dy herë: së pari për rrezikun e largimit dhe së dyti për rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Rreziku i ikjes

Sipas gjyqtarit Engert Pëllumbi, në rastin e Veliajt “ekziston edhe rreziku i ikjes dhe ai i kryerjes së veprave të tjera penale të të njëjtit lloj me ato për të cilat po procedohet”.
Pëllumbi argumentonte se mundësitë financiare të Veliajt, lëvizjet e shumta jashtë vendit dhe fakti që ai përballet me akuza që mund të sjellin dënim të rëndë penal “e çon gjykatën në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta”.

“Ky konkluzion nuk relativizohet as nga fakti se personi nën hetim është kryefamiljar dhe baba i një fëmije të mitur”, shkruante gjyqtari. Duke iu referuar vendimit unifikues të vitit 2011, ai vazhdonte se “rreziku i largimit, krahas elementëve të tjerë, mund të lidhet e të rezultojë edhe nga vetë natyra e akuzave në ngarkim të të gjykuarit, nga rëndësia e faktit, sanksionit për veprën penale dhe lloji e shkalla e pasojave të ardhura prej saj.”
Rreziku i recidivizmit

I njëjti vendim unifikues i vitit 2011 përdorej nga gjyqtari edhe për të argumentuar rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Lidhur me akuzën për pastrim të produkteve të veprës penale të korrupsionit, Pëllumbi arsyetonte se, për shkak të kohëzgjatjes së veprimtarisë dhe shumave të konsiderueshme të përfshira, ekzistonte rreziku që aktiviteti të vijonte më tej. Sipas tij, “është evidente që personi nën hetim do të përpiqet të fshehë origjinën e vërtetë të shumave të parave ose sendeve të luajtshme apo të paluajtshme që burojnë nga veprimtaria e tij korruptive”.

Në interpretimin e vitit 2011, Gjykata e Lartë kërkonte që gjykata të analizonte “personalitetin e të pandehurit, nëse ka precedentë penalë, mënyrën e jetesës së tij, vendin dhe rrethanat të cilat e kanë sjellë në kryerjen e veprës, rrethanat lidhur me natyrën, llojin, mjetet, kohën, vendin e mënyrën e kryerjes së veprës penale, llojin dhe shkallën e pasojave të ardhura nga kryerja e veprës, llojin e shkallën e fajësisë dhe motivet për kryerjen e veprës, sjelljen e autorit si para ashtu edhe pas kryerjes së veprës, si dhe rrethanat e tjera të jetës individuale, familjare e sociale të tij.”
Por ndryshimi i fundit i Gjykatës së Lartë e zhvendos barrën e argumentimit. Tashmë, paraburgimi nuk duhet të konsiderohet më si zgjedhja standarde vetëm për shkak të rëndësisë së akuzës. Gjykata duhet të analizojë në mënyrë më konkrete nëse ekziston realisht nevoja për izolim në qeli apo nëse qëllimi procedural mund të arrihet edhe me masa më të buta, si arresti në shtëpi apo detyrimi për paraqitje.
Në kërkesat e tij, kryebashkiaku i Tiranës pretendon se hetimet e SPAK janë kryer në shkelje të ligjit; se prokuroria kishte tejkaluar afatet hetimore dhe se prokurori i çështjes, Ols Dado, ishte emëruar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, mbrojtja e Veliajt ka argumentuar se kallëzimi ishte bërë nga një person anonim, “Nesti Angoni”, pa u kryer verifikime për identifikimin e tij.
Në vendimin e parë, Gjykata e Lartë i rrëzoi këto pretendime. Por tani klima juridike nuk është më e njëjta. Dhe nëse deri dje paraburgimi ishte porta nga ku politika shqiptare hynte në botën e të vdekurve, vendimi i ri i Gjykatës së Lartë duket se ka hapur për herë të parë edhe një derë daljeje./Lapsi.al
















